Jo çdo mëngjes na mban të ngopur për të njëjtën kohë. Zgjedhjet që bëjmë në vaktin e parë të ditës ndikojnë drejtpërdrejt në atë se sa shpejt do të na rikthehet uria dhe nëse do të kemi nevojë për një snack vetëm pak orë më vonë.
Një mëngjes i bazuar kryesisht në ushqime të ëmbla dhe karbohidrate që përthithen shpejt mund të japë energji të menjëhershme, por ngopja mund të mos zgjasë shumë. Për një vakt më të plotë, është e dobishme të kombinohen burime proteinash, fibrash, karbohidratesh komplekse dhe yndyrash të shëndetshme.
Vezët janë një zgjedhje e thjeshtë dhe e pasur me proteina. Mund të përgatiten në forma të ndryshme dhe të shoqërohen me perime si spinaqi, domatet apo specat, duke shtuar edhe fibra dhe vlera të tjera ushqyese.
Bollguri është një tjetër alternativë që mund të ndihmojë në një ndjesi më të qëndrueshme ngopjeje. Përmbajtja e fibrave dhe karbohidrateve komplekse bën që të tretet më ngadalë. Mund ta përgatisni me qumësht ose ujë dhe t’i shtoni fruta të freskëta, manaferra apo disa arra. Më mirë të zgjidhen variantet e thjeshta, pa sheqerna të shtuara.
Kosi grek dhe gjiza janë gjithashtu zgjedhje të mira për mëngjes, veçanërisht për shkak të proteinave. Mund t’i kombinoni me fruta, fara ose një sasi të vogël arrash. Zgjidhni versione pa sheqer të shtuar.
Arrat, bajamet, lajthitë dhe farat mund ta bëjnë vaktin më të plotë. Ato ofrojnë një kombinim të proteinave, fibrave dhe yndyrave të pangopura. Nuk është e nevojshme një sasi e madhe; mjafton t’i shtoni në kos, bollgur apo gjizë.
Avokadoja dhe vaji i ullirit mund të jenë pjesë e një mëngjesi të ekuilibruar falë përmbajtjes së yndyrave mono të pangopura. Avokadoja mund të shërbehet mbi bukë integrale ose së bashku me omëletën, ndërsa vaji i ullirit mund të përdoret për sallata dhe perime.
Në fund, sekreti nuk qëndron te një ushqim i vetëm. Një mëngjes i ndërtuar duke kombinuar proteina, fibra, karbohidrate komplekse dhe yndyra të shëndetshme mund të jetë më i plotë dhe t’ju ndihmojë të menaxhoni më mirë urinë gjatë orëve të para të ditës./mxh
