Një grua 62-vjeçare nga Argjentina ka realizuar ëndrrën për t’u bërë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë një djalë pas një shtatzënie të arritur përmes fertilizimit in vitro.
Mabel Frias lindi djalin e saj, David, më 12 gusht në spitalin “San Felipe”, në San Nicolás, në provincën e Buenos Airesit. Foshnja erdhi në jetë me lindje cezariane, peshonte 2.75 kilogramë dhe, sipas nënës, gëzon shëndet të mirë. Për monitorim, i porsalinduri qëndroi për disa orë në kujdesin intensiv neonatal.
Për Mabel, kjo lindje ishte realizimi i një dëshire që e kishte mbartur për vite me radhë. Ajo kishte kaluar prej kohësh në menopauzë dhe, për shkak të moshës, nuk kishte më vezë të sajat. Për këtë arsye, shtatzënia u bë e mundur përmes fekondimit in vitro dhe përdorimit të vezëve të dhuruara.
“Gjithmonë kam dashur të bëhem nënë. Nuk u dorëzova kurrë”, rrëfeu ajo për mediat lokale, duke treguar se besimi dhe dëshira për të realizuar këtë ëndërr e shtynë të mos hiqte dorë.
Shtatzënia u konsiderua me rrezik të lartë për shkak të moshës, por mjekja obstetre Romina Ruffini, e cila e ndoqi gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, tha se ajo ecuri pa komplikacione të rëndësishme.
Pas lindjes, Mabel zgjodhi t’u drejtohej edhe grave të tjera që mund të kenë të njëjtën dëshirë për t’u bërë nëna pas menopauzës.
“Mos u dorëzoni. Sot menopauza nuk është më domosdoshmërisht një pengesë. Shkenca ka bërë përparime të mëdha”, u shpreh ajo, duke falënderuar ekipin mjekësor që e mbështeti.
Rasti i Mabel është veçanërisht i rrallë në Argjentinë. Edhe pse nuk ekziston një regjistër zyrtar që përcakton gruan më të moshuar që ka lindur në vend, raportimet lokale nuk përmendin raste të tjera të lindjeve në moshën 62 vjeç ose më shumë.
Në nivel ndërkombëtar, megjithatë, janë dokumentuar raste të tjera të lindjeve në mosha edhe më të mëdha, kryesisht falë teknikave të riprodhimit të asistuar. Në vitin 2005, rumunia Adriana Iliescu u bë nënë në moshën 66-vjeçare, ndërsa një vit më pas, spanjollja María del Carmen Bousada de Lara lindi binjakë pak para se të mbushte 67 vjeç.
Në vitin 2015, gjermania Annegret Raunigk tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi solli në jetë katërnjakë, tre djem dhe një vajzë, në moshën 65-vjeçare./mxh
