Last Updated on 02/09/2026 by Anisa
Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, dorëzon sot kredencialet te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Ceremonia zyrtare është parashikuar të zhvillohet në orën 09:30, në Presidencë, duke shënuar nisjen zyrtare të detyrës së diplomates portugeze në Tiranë.
Moreira de Sousa do të pasojë në këtë post diplomatin italian Silvio Gonzato, i cili ka përfaqësuar Bashkimin Evropian në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Diplomatja portugeze ka një përvojë të gjatë në institucionet dhe strukturat diplomatike evropiane. Para emërimit si ambasadore e BE-së në Shqipëri, ajo ka shërbyer si Drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali.
Më herët, Moreira de Sousa ka mbajtur edhe postin e Ambasadore së Bashkimit Evropian në Kepin e Gjelbër.
Marrja e detyrës së re në Tiranë vjen në një periudhë të rëndësishme për Shqipërinë, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe negociatave të anëtarësimit./ad
