Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho si dhe prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara morën pjesë në Buenos Aires, në formunin e organizuar nga DEA.
Lajmi u bë i ditur nga vetë SPAK, me anë të një njoftimi ku thuhet se prokurorët e posaçëm zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologët e disa shteteve.
Në fokus të takimeve ishin forcimi i marrëdhënieve dhe koordinimi operacional për luftën ndaj kërcënimeve ndërkombëtare.
Njoftimi i SPAK
SPAK forcon bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar transnacional
Divizioni Penal i Departamentit Amerikan të Drejtësisë (DOJ) dhe OPDAT e përfshinë SPAK-un në qendër të përpjekjeve globale kundër krimit të organizuar transnacional. Në Buenos Aires, Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho mori pjesë në #IDEC40, forumi kryesor global, i organizuar nga DEA, për integrimin operacional, koordinimin dhe shmangien e mbivendosjeve në veprimtarinë kundër organizatave kriminale transnacionale, përfshirë edhe organizatat e huaja terroriste të përcaktuara si të tilla nga Shtetet e Bashkuara.
Në vijim të #IDEC40, prokurorë të SPAK zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguai dhe Argjentina, duke forcuar marrëdhëniet dhe koordinimin operacional të nevojshëm për identifikimin, goditjen dhe luftën kundër kërcënimeve transnacionale në Evropë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.
SPAK mbetet i angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, kudo që ai vepron./k.m
