Last Updated on 02/11/2026 by Monika
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka bërë thirrje që zhvillimi i inteligjencës artificiale të udhëhiqet vazhdimisht nga vlerat njerëzore, duke theksuar se njeriu dhe dinjiteti i tij duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve politike për të menaxhuar përparimin e shpejtë teknologjik.
Gjatë fjalës së tij në Samitin Digjital të qeverisë gjermane, të zhvilluar sot në Berlin, kancelari Merz nënvizoi se teknologjia duhet të zhvillohet në shërbim të shoqërisë dhe jo në dëm të saj.
Ai pranoi se institucionet shpesh duken të ngadalta në reagimin ndaj ndryshimeve teknologjike, por theksoi se kjo nuk nënkupton paaftësi për të vepruar.
Sipas tij, bëhet fjalë për një proces të qëllimshëm, në të cilin nevojat njerëzore dhe parimet themelore të shoqërisë duhet të përcaktojnë ritmin e zhvillimit.
Nën moton “Formësimi i inteligjencës artificiale; e sigurt, sovrane dhe konkurruese”, Merz kërkoi forcimin e sovranitetit digjital të Gjermanisë dhe Evropës.
Ai prezantoi një strategji me dy drejtime; në afat të shkurtër, zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale të zbatueshme në industri, për të mbrojtur konkurrueshmërinë e bizneseve; ndërsa paralelisht do të nxitet kërkimi për modelet e së ardhmes, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale fizike.
Kancelari theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me Francën dhe Kanadanë, për shkëmbimin e njohurive dhe diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit.
Ai vlerësoi potencialin e madh ekonomik që inteligjenca artificiale mund t’i ofrojë Gjermanisë, sidomos sektorëve të inxhinierisë mekanike dhe industrisë elektronike, të cilët mund të përfitojnë ndjeshëm nga aplikimi i teknologjive të reja.
Merz u ndal edhe te dimensioni shoqëror dhe etik i këtij zhvillimi, duke iu referuar një deklarate të papa Leones XIV, për të paralajmëruar kundër besimit të pakushtëzuar te sistemet e inteligjencës artificiale dhe dhënies së tyre të përgjegjësive të tepërta.
Sipas tij, politika, biznesi dhe shoqëria kanë përgjegjësinë e përbashkët të përcaktojnë vetë rregullat e transformimit digjital dhe të mbrojnë themelet teknologjike të lirisë./mxh
