Last Updated on 04/03/2026 by Anisa
Nga Fatmir Osmani
Është mjerim politik kur posti më i lartë i shtetit është pazar mes partive politike.
Debati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk është më vetëm çështje emrash. Ai është kthyer në test politik për Lëvizja Vetëvendosje (LVV)-Guxo dhe për mënyrën se si këto parti do ta menaxhojnë raportin mes parimit dhe kompromisit.
Pyetja që shtrohet është, nëse nuk rizgjidhet Vjosa Osmani,
a do të thotë kjo se “peni u këput”?
Vjosa Osmani u zgjodh presidente si pjesë e një momenti politik, ku LVV dhe Guxo krijuan një bosht të përbashkët sovranist dhe reformues.
Nëse sot LVV nuk arrin ta sigurojë një mandat të dytë për të, perceptimi publik mund të jetë se LVV ose ka humbur kontrollin e procesit, ose ka zgjedhur kompromisin mbi parimin. Por politika nuk është vetëm çështje vazhdimësie personale, por proces që është gjithmonë në bërje, pra është çështje e kontinuitetit strategjik të shtetit.
Peni nuk këputet automatikisht me ndryshimin e emrit. Ai këputet vetëm nëse humbet narrativa e sovranitetit dhe reformave.
Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet në Kuvend me shumicë votash. Kjo e detyron LVV-në të negociojë me parti si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.
Dhe nëse procesi reduktohet vetëm në marrëveshje të ngushta partiake, rritet perceptimi se kemi një pazar politik dhe jo një akt përfaqësimi shtetëror. Pikërisht këtu lind ideja që është artikuluar ndër vite, zgjedhja e presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga populli.
Nëse ky moment shfrytëzohet për të hapur rrugën e ndryshimeve kushtetuese, atëherë kriza aktuale mund të kthehet në reformë historike.
Zgjedhja e presidentit mund ta vendoste LVV-në në pozitë vetëshkatërruese dhe, nga mos lësho pe, të kthehet në një litar varës, dhe kjo do të ndodhte nëse LVV:
Këmbëngul vetëm në një emër pa plan B.
Shkon në bllokadë institucionale.
Jep përshtypjen se është pengesë e zgjedhjes së presidentit.
Por nëse LVV arrin të kontrollojë tranzicionin, qoftë duke mbështetur Osmanin, të cilën unë personalisht do e mbështetja, qoftë duke propozuar një figurë me legjitimitet të lartë moral e kombëtar, atëherë nuk kemi “litar”, por rikonfigurim strategjik.
Por nëse Kurti dhe LVV duan me të vërtetë të mos hyjnë në kurthin e pazarit politik me një PDK, një LDK dhe AAK, thellësisht të korruptuara, duhet me çdo kusht që paralelisht me këtë proces të arrijnë të ndërtojnë konsensus apo marrëveshje politike për ndryshime kushtetuese që presidenti i ardhshëm të zgjidhet direkt nga populli.
Një skenar i tillë do të nënkuptonte,
Marrëveshje për të shmangur krizën aktuale.
Nisje të procedurave për reformë kushtetuese.
Krijimin e kushteve që presidenti i ardhshëm të zgjidhet direkt nga qytetarët, si e ka p.sh. Austria, atëherë LVV jo vetëm që nuk lëshon pe, por e forcon atë.
Në syrin tim, LVV dhe Guxo e kanë një lehtësim moral, të cilin me apo pa dashje vetë presidentja Osmani ua ka afruar atyre, dhe ajo është krokisjet e fundit të saj me Edvin Kristaq Ramën, i cili në këto 5 vitet e fundit ka qenë më shumë ministër i jashtëm i Serbisë për Kosovën se sa Kryeministër i Shqipërisë.
Në fund, dilema nuk është thjesht kush bëhet president, por si po zgjidhet ai dhe kush po e propozon. Nëse LVV ka një emër ku edhe PDK dhe LDK e pranojnë, atëherë le të zgjidhet,
por nëse kërkesa e të korruptuarve është që ata ta japin emrin e Presidentit, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja, sepse ashtu si për një kryeministër të denjë që shkuam në zgjedhje, është e domosdoshme edhe për një kryetar apo kryetare të denjë të shtetit të shkohet në zgjedhje.
Uroj që zgjedhja e Presidentit të mos mbetet një pazar i zakonshëm politik, por të shndërrohet në reformë historike duke ndryshuar mënyrën se si zgjidhet ai.
