Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi se ka vizituar qytetin e vijës së frontit Kupiansk, në lindje të vendit, duke theksuar se arritjet ushtarake janë jetike për suksesin diplomatik të Ukrainës. Në një video të publikuar nga ai, Zelenskiy – i veshur me jelek antiplumb, shfaqet pranë tabelës hyrëse të qytetit, ndërsa dëgjohen edhe shpërthime në sfond.
“I përgëzova djemtë. Falënderoj çdo njësi dhe këdo që lufton këtu, që shkatërron pushtuesit. Sot është jashtëzakonisht e rëndësishme të arrihen rezultate në vijën e frontit, në mënyrë që Ukraina të mund të ketë rezultate në diplomaci,” tha Zelenskiy. Ai shtoi se pozicionet e forta ushtarake ndikojnë drejtpërdrejt në bisedimet për përfundimin e luftës. “Jam mirënjohës për çdo ushtar. Jam krenar për ju. Lavdi Ukrainës.”
Reuters verifikoi vendndodhjen si Kupiansk, në rajonin Kharkiv, duke e krahasuar videon me imazhe satelitore dhe pamje arkivore, ndërsa data e saktë e xhirimit nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur./mxh
