Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Loris Qosja është nxënësi nga Cërriku që arriti të renditet i pari në botë në një konkurs të matematikës.
Ai fitoi medaljen e artë në një konkurs ndërkombëtar të matematikës, ku morën pjesë mbi 300 konkurrentë nga 30 shtete të ndryshme të botës.
Që në klasën e gjashtë mësuesja e matematikës, Flutura Hoxholli, vuri re talentin e tij të veçantë dhe nisi ta përgatiste me programe më të avancuara, duke e përfshirë në olimpiada të ndryshme.
“Më thoshte Ajnshtajni i vogël, gjeniu im… dhe më dha matematikë të klasave më të larta. Aty u pikasa si talent, kur filluam të merrnim pjesë në olimpiada të ndryshme”, tha Loris Qosja për Euronews Albania.
Për dy vite me radhë mësuesja punoi me të pa asnjë tarifë apo shpërblim financiar, vetëm me dëshirën për ta ndihmuar nxënësin e saj të arrinte sa më lart.
“Mësuesi duhet të zbulojë talentin, ta motivojë dhe ta zhvillojë, jo të gjithë e bëjnë. Unë kam vetëm një djalë, por atë që s’e arrita me djalin tim, e kam arritur me Lorisin”, tha Flutura Hoxholli, mësuese e matematikës.
Megjithatë, rruga drejt Amerikës nuk ishte fare e lehtë. Tarifat e pjesëmarrjes në konkurs arrinin deri në 8 mijë euro, një shumë e papërballueshme për familjen e tij, pasi të dy prindërit janë të papunë.
Pavarësisht vështirësive financiare, familja nuk pranoi që ëndrra e djalit të tyre të mbetej peng i pamundësive ekonomike dhe bëri çdo përpjekje për ta mbështetur.
“Një pjesë e pagoi Bashkia Cërrik, një pjesë mësuesja dhe pjesa tjetër u pagua nga prindërit dhe të afërmit”, shtoi Loris.
Mbështetja institucionale ishte e kufizuar, ndërsa një pjesë e shoqërisë reagoi me skepticizëm.
“Disa nga shokët e mi… nuk e mendonin që do merrja këtë famë. Shumica u lumturuan, por disa nuk më flasin. Kur erdha nga Amerika shumica qenë të ftohtë, po e themi që ne nuk e dimë arsyen”, theksoi i riu.
Sot, edhe pse ka siguruar një bursë trevjeçare nga një institucion privat që i mbulon studimet dhe i garanton punësim, Lorisi ka një mesazh të qartë për institucionet.
“Po e përmbledh me një shprehje, një person ka pyetur njeriun më të zgjuar, Ajnshtajnin, a ka jetuar ndonjë njeri më i zgjuar se ty dhe ai iu përgjigj, po kanë jetuar, por nuk kanë pasur mundësi të zbulohen”, përfundoi Loris Qosja.


