Last Updated on 03/08/2026 by Anisa
Në pritje të shqyrtimit në asamblenë socialiste të mocionit të propozuar prej saj për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, Elisa Spiropali ka lëshuar një mesazh të koduar në rrjetet sociale.
Në mesin e muajit korrik, Spiropali bëri publik mocionin që i ka paraqitur Asamblesë së PS-së ku kërkon hapjen e një dialogu të gjerë kombëtar, duke argumentuar se protestat dhe pakënaqësitë qytetare nuk duhet të injorohen, por të shihen si një mundësi për reflektim dhe reformim.
Pas largimit nga posti i ministres së Jashtme, Spiropali ka qenë një prej zërave kritikë brenda grupit parlamentar socialist.
Ajo u kritikua në prill nga kryeministri Rama për mungesën në Kuvend gjatë votimit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku si dhe për kritikat ndaj shumicës qeverisëse në rrjetet sociale.
“Herën e parë nuk votove, herën e dytë bëre çarçaf, herën e 3-të del nga Grupi”, ishte paralajmërimi i Ramës për ish ministren e tij.
Në përgjigje të kritikëve të Ramës, Spiropali iu përgjigj në atë kohë me fjalët “Nuk është trimëri të përjashtosh, trimëri është të dëgjosh. Më përjashton ti, jo ajo”./ad
