Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Ekspozita që hapet në Vjenë mbledh për herë të parë në një ekspozitë të vetme të gjitha veprat e saj
Philip Oltermann
Herën e parë që Katlijne von der Stighelen hodhi sytë mbi Triumfi i Bakut, ajo filloi të vinte në dyshim gjykimin e saj. Historiania e artit nga Holanda dhe eksperte për Rubensin ishte në një konferencë në muzeun Kunsthistorisches të Vjenës në vitin 1993 dhe kishte kërkuar të shihte një vepër të Van Dyck në arkiv. Gjatë daljes, i zuri syri një pikturë të madhe në përmasa 2.7 me 3.5 metra, me një paradë të çmendur e të dehur, plot trupa të zhveshur, të rinj e të vjetër.
“Nuk i besoja syve të mi,” kujton von der Stighelen. “E njoh mirë pikturën flamenke të shekullit të 17-të, por kur pashë këtë vepër, nuk e lidhja dot me asgjë që njihja.” Arkivisti i tha një fakt intriguese: besohej se ishte punë e një gruaje.
Tri dekada më vonë, Triumfi i Bakut nuk është më i fshehur në arkivat e muzeut, por merr vëmendjen kryesore si qendra e një ekspozite të re – dhe autorja e tij nuk është më e panjohur. Që hapet më 30 shtator, ekspozita Michaelina Wautier, Piktore mbledh për herë të parë në një vend të vetëm të gjitha veprat e njohura të artistes, e cila më në fund po njihet si një nga mjeshtret e vërteta të epokës së saj.
Ekspozita përfshin piktura monumentale historike, portrete dhe natyra të qeta, si dhe trajtime alegorike si Pesë shqisat, një seri me pesë piktura që paraqesin djem që përjetojnë shikimin, dëgjimin, nuhatjen, shijen dhe prekjen. Kjo e fundit, e atribuar Wautier-it vetëm pas retrospektivës së parë në Antuerp në vitin 2018, do të ekspozohet për herë të parë në Europë që nga rizbulimi i saj. Dy studime – një i një shenjtori dhe një i një djali me kravate të bardhë – do të ekspozohen për herë të parë me emrin e saj.
“Që një artiste baroke të punojë në këtë shkallë dhe me një larmi kaq të madhe temash është krejtësisht e paprecedentë,” thotë von der Stighelen. “Kishte gra të shkëlqyera në atë kohë që pikturonin lule apo natyra të qeta, por përgjithësisht punët e tyre ishin shumë më të vogla se ato të burrave, kryesisht sepse nuk kishin punëtoritë e tyre. Wautier është një përjashtim i plotë nga rregulli.”
Biografia e fshehur e një gjeniu
Pak gjë dihet për biografinë e Wautier përveç faktit se ajo lindi në Mons në vitin 1604 – sot kryeqyteti i provincës Hainaut në Belgjikën frankofone – dhe se kishte një vëlla pesë vjet më të madh, Charles, që punonte si artist profesionist dhe që për një kohë të gjatë u mendua gabimisht si autor i disa prej veprave të saj.
Jonathan Fine, drejtori i përgjithshëm i muzeut Kunsthistorisches, tha: “Nuk dimë pothuajse asgjë për të nga dokumentet historike. Shumicën e asaj që dimë, e dimë nga pikturat e saj.”
Nga 35 veprat që i atribuohen, rreth gjysma janë të datuara dhe të nënshkruara “Michaelina Wautier”, por në inventarë emri i saj shfaqet me variante të ndryshme si “Michelle”, “Wouteers” apo “Votier”. Një numër i madh i këtyre veprave përfundoi në koleksionin e Arqidukës Leopold Wilhelm i Austrisë, një nga patronët më të mëdhenj të artit të kohës, çka tregon se familja Wautier kishte lidhje me rrethe aristokratike.
Njohuri e jashtëzakonshme për trupin
Ndërsa gratë në atë kohë nuk lejoheshin të studionin në akademi, mjeshtëria me të cilën Wautier përdorte penelin bën të pamundur të imagjinohet se nuk kishte marrë ndonjë trajnim formal, ndoshta nga vëllai i saj, sipas ekspertëve.
Vetë ekzistenca e Triumfit të Bakut sugjeron gjithashtu se Michaelina kishte mundësinë të përdorte studion e Charles-it dhe të studionte modele mashkullore të zhveshura nga jeta reale.
“Kur sheh pikturat e Wautier, menjëherë bëhet e qartë që ajo e njihte trupin e njeriut,” thotë von der Stighelen. “Kur sheh larmishmërinë e moshave, ngjyrave të lëkurës dhe teksturave të flokëve në pikturën e Bakut, është e pamundur që ajo të ketë punuar vetëm me kopje prej allçie. Ajo duhet të ketë pikturuar nga jeta.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
