Shkruan Mitro Çela
Pasi bëri “autopsinë” e politikës moderne, filozofi Maks Weber i ndau politikanët në dy grupe.
Në grupin e parë bëjnë pjesë individët që jetojnë për politikë. Ata i futen politikës për ideale.
Në grupin e dyte, filozofi përfshin politikanët që jetojnë prej politikës.
Kjo “rracë” e ushtron profesionin e politikanit sikur të jenë doktorë, kasapë, mami, peshkatarë, kumarxhinj, kodoshë, sharrëxhij, taksidarë.
Filozofi ngul këmbë se kjo ndarje përfshin politikanët e të gjithë vendeve; në të gjitha kohët.
I frymëzuar nga idetë e Weberit, nisa të investigoj politikën shqiptare.
Grupi i parë, ose nuk egziston fare, ose është i rralluar.
Grupi i dytë është “ulur këmbëkryq” në çdo qelizë të shtetit.
Pardon!
Po të këndosh deklaratat e pasurisë, me një “grusht” parash në bankë, kryeministrin Rama e “kall” në grupin e parë.
Po kështu Tauland Ballën, Belinda Ballukun etj.
Por po të shohësh “xhypen”: kostumet, kullarot, unazat, çorapet, celularët, orët-bën prapa ktheu. Rama thotë se makinen që udhëton nëpër Shqipëri e merr me qira nga PS.
Unë shtoj se edhe qiranë për të udhëtuar nëpër botë, e merr nga PS, për të mos rënduar buxhetin, larg qoftë, e merr nga Partia.
Sahatin në dorë 1.5 milionë dollë, e ka dhuratë nga miqtë në botë. Shtëpinën Surel e ka dhuratë nga gruaja?!
“Kopështi i Edenit” në sallonin e Kryeministrisë u bë me frymën e shënjtë. Peshku i kuq “peshqesh” nga Japonis?!
Biletat për basketboll amerikan, futboll evropian, i ka pa pare?!
Le të kujtojmë vizitën e Papës. Makina luksi kishin pushtuar aeroportin. Njera më e shtrenjtë se tjetra. Të gjitha të blera me taksat që paguan mileti. Papa, për suprizë, hipi në një makinë që kushtonte 20 herë më lirë se makina e kryeministrit, në vendin më të varfër të Evropës?!
Benc. E blinduar. Me çmim mbi 600 mijë euro! Për të qënë të saktë. Nuk e bëjmë me shumë faj Ramën. Makinën e trashëgoi nga Berisha.
Vështronin deputet që futen në Parlament. Seks i gjallë! Rrobat alla frënga- “Versaçe”, “Armani”, “Maks Mara”, “Guçi”.
“Elisabata Franki.”
Vathët, varset, sahatët, parfumet -mijra euro.
Paratë lumë për të hequr ruthat, për parukieret.
Kur një pjesë e popullit është pa strehë, ministri a deputeti më varfanjak ka 300 metra katror apartament banimi në Tiranë; një vilë në Durrës, në Vlorë, Sarandë a Velipojë!
Për të mirën e popullit, shteti “mban në kembë” edhe Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare. Në vartësi të saj janë disa vila në Durrës, në Pogradec, në Vlorë.
Drejtoria Shërbimeve del me humbje. Subvencionohet nga taksat e miletit, sepse kryeministri, ministrat, deputetët dhe sidomos gratë e tyre, shkojnë rrallë e më rrallë në vilat e shtetit. Parapëlqejnë hotelet private, sidomos ato jashtë kufijve të Shqipërisë!
Rrofshin bizesmenët që sponsorizojnë, sidomos ata që janë punësuar në shtet dhe në bizneset e grave!
Pushteti ka shumë fytyra. Mbi të gjitha ofron mirqënie me kosto të ulët. Njeriu me pushtet humbet nocionin e stinëve: rroftë kondicioneri në shtëpi, në makinë, në zyrë!
Vështroni binanë e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk i dallon dritaret sepse u kanë zënë “gurmazin” kondicionedrët. Politkanët nuk dinë se si janë katandisur shkollat në verilindje: fëmijët e tyre marrin kulturë në Athinë, Londër, Paris, Amerikë.
Pushtetarët me status nuk paguajnë taksa kur kapërcejnë kufijtë; nuk paguajnë doganë kur importojnë makina…
