Ministri i Mbrojtjes në Britaninë e Madhe, John Healey ka deklaruar ditën e sotme se trupat dhe civilët britanikë në Lindjen e Mesme janë në rrezik për shkak të sulmeve pa dallim nga Irani.
Healey u shpreh në një intervistë për BBC-në se personeli i një baze ushtarake britanike në Bahrain, shumë pranë vendit ku ndodhi sulmi hakmarrës të shtunën, u rrezikua kur dy raketa nga Irani u qëlluan në drejtim të Qipros.
“Në atë bazë ushtarake të Bahreinit që u godit nga raketa dhe dronë dje, kishim 300 personel britanik, disa prej të cilëve më pak se 100 metra nga sulmi”, u shpreh ministri britanik.
Megjithatë ai shtoi më tej se ishte i sigurt se raketat balistike të Iranit nuk shënjestronin bazat ushtarake britanike. Ministri tha se këto sulme treguan se si personeli ushtarak dhe civilët britanikë rrezikohen nga një regjim që sipas tij është gjithnjë e më pak dalluese dhe i kontrolluar në sulmet që po kryen.
Healey tha se ndonëse Mbretëria e Bashkuar nuk kishte marrë pjesë në sulme, ndan të njëjtin qëllim kryesor të të gjithë aleatëve në rajon dhe SHBA-së, që Irani të mos ketë kurrë një armë bërthamore. Ai nuk dha detaje nëse Mbretëria e Bashkuar do të përfshihej në sulme të mëtejshme, por tha se po përpiqej të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm rajonal. Gjithashtu bëri me dije se Mbretëria e Bashkuar po rishikonte nivelin e kërcënimit terrorist.
Të dielën, një avion luftarak RAF Typhoon që operonte nga Katari rrëzoi një dron iranian gjatë një patrulle ajrore mbrojtëse, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes.
Kjo është hera e parë që një avion luftarak britanik ka rrëzuar një dron iranian që nga fillimi i sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Iranit. Më parë, një njësi britanike kundër dronëve në Irak rrëzoi një dron iranian që po shkonte drejt një baze të Koalicionit ku strehohej personeli i shërbimit britanik.
Kryeministri Sir Keir Starmer kishte konfirmuar tashmë se aeroplanët britanikë po patrullojnë në Lindjen e Mesme si pjesë e një operacioni mbrojtës për të mbrojtur njerëzit, interesat dhe aleatët e tyre.
Zyrtarët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar po hartojnë gjithashtu plane për të evakuuar shtetasit britanikë nga Lindja e Mesme, megjithëse nuk ka gjasa që kjo të jetë e afërt për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore në të gjithë rajonin. Që nga e shtuna, Irani ka nisur një valë sulmesh me raketa dhe dronë kundër objektivave në Izrael, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Irak./mxh
