Last Updated on 30/08/2026 by Anisa
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilëson shërbimin konsullor për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, një histori suksesi të lidhur jo vetëm me transformimin teknologjik, por edhe me transformimin e mënyrës, cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se vetëm gjatë periudhës 2017– 2026, janë administruar 1 milionë e 378 mijë shërbime konsullore.
Sipas tij, janë plot 4 milionë e 300 mijë legalizime të administruara nga viti 2019 deri në qershor 2026 dhe mbi 203 mijë aplikime e-Visa që prej vitit 2021.
Angazhimi ynë, – shtoi Ministri i Jashtëm, – është ta përmirësojmë dhe mbi të gjitha të thjeshtojmë praktikat, duke e sjellë shërbimin sa më pranë qytetarit.
“Konkretisht, po punojmë për realizimin e një Asistenti Virtual, i cili, nuk do të ketë orar, përgjigjet në çdo kohë e për çdo pyetje dhe kudo, dhe të orientojë kërkuesit drejt shërbimit. Në çdo shërbim konsullor do të vendoset një QR Code për të vlerësuar shërbimin dhe për çdo ankesë të mundshme. Qytetari të mos jetë jetë vetëm përfitues i shërbimit, por edhe vlerësues i tij. Me një fjalë, duam të dimë si po punojmë dhe si të përmirësojmë”, tha Hoxha.
Ministri njoftoi se shumë shpejt do të krijohet Prania Diplomatike Virtuale – një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore për këdo, në ato vende ku nuk kemi përfaqësim fizik.
“Me një fjalë, duam të kalojmë nga praktika kur qytetari shkon tek shteti, tek ajo ku shteti shkon edhe është gjithnjë pranë qytetarit”, përfundoi Hoxha.
Drejtoresha e Çështjeve Konsullore në MEPJ, Irida Laçi, shtoi se “aktualisht ofrohen online 32 shërbime në total, 22 prej të cilave nuk kërkojnë detyrimisht prani fizike, dhe aty ku natyra e shërbimit e lejon, dokumenti mund të dërgohet me postë.”/ad
