Ministri i Financave i Izraelit dhe një nga figurat e së djathtës ekstreme në qeveri, Bezalel Smotrich, deklaroi se është informuar për një kërkesë “sekrete” të Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj tij.
Zyra e Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë nuk ka dhënë koment, duke iu referuar konfidencialitetit të procesit. Sipas procedurave, prokuroria mund të paraqesë kërkesa të mbyllura te gjyqtarët, të cilët më pas vlerësojnë nëse ekzistojnë baza të arsyeshme për krime që bien nën juridiksionin e gjykatës.
Smotrich tha se i është komunikuar ekzistenca e një kërkese të tillë, duke e cilësuar zhvillimin si një hap të rëndë politik dhe juridik. Më herët, Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant dhe një drejtues të Hamasit, Ibrahim Al-Masri, lidhur me konfliktin në Gaza.
Smotrich reagoi duke e quajtur këtë proces “një deklaratë lufte”, duke iu referuar Autoritetit Palestinez, të cilin Izraeli e akuzon për mbështetje të veprimeve ligjore ndërkombëtare kundër zyrtarëve izraelitë.
Britania dhe katër vende të tjera kishin vendosur më herët sanksione ndaj Smotrich dhe ministrit tjetër të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, duke i akuzuar për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Smotrich është shprehur gjithashtu pro vendosjes së kontrollit të përhershëm izraelit në Gaza dhe rikthimit të vendbanimeve hebraike atje, ide që kryeministri Netanyahu i ka kundërshtuar./mxh
