Në Republikën Demokratike të Kongos po vijon përhapja e një shpërthimi të dyshuar të Ebolës, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shtuar ndjeshëm ndërhyrjen në terren me ekspertë dhe ndihma mjekësore.
Përfaqësuesja e OBSH-së në provincën Ituri, Dr Anne Ancia, deklaroi se më shumë se 40 ekspertë janë dërguar në zonat e prekura, së bashku me 12 ton pajisje mjekësore, ndërsa 6 ton të tjera janë në rrugë. Sipas saj, ndihmat përfshijnë pajisje mbrojtëse për personelin shëndetësor, mostra laboratorike dhe barna të ndryshme.
Ancia theksoi se situata në terren mbetet e vështirë, me një popullsi të brishtë të goditur nga vite konfliktesh dhe pasigurie, ndërsa autoritetet po përballen me mungesë të kapaciteteve për testim dhe gjurmim të rasteve. Ajo shtoi se ende nuk dihet saktësisht përmasat e shpërthimit të sëmundjes.
Sipas saj, sistemi i survejancës dhe hetimit është i kufizuar, ndërsa procesi i diagnostikimit po ngadalëson reagimin ndaj përhapjes së virusit. OBSH paralajmëron se vonesat mund të ndikojnë në zgjerimin e infeksionit në rajon.
Zyrtarja e OBSH-së ngriti gjithashtu shqetësimin për uljen e financimeve ndërkombëtare në sektorin shëndetësor dhe atë të ujësjellësit e kanalizimeve, duke e cilësuar ndikimin si “të jashtëzakonshëm”. Sipas saj, mungesa e fondeve po e vështirëson ndjeshëm luftën kundër epidemisë.
Autoritetet shëndetësore po përpiqen të rrisin testimet, gjurmimin e kontakteve dhe kontrollin e përhapjes së sëmundjes, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm në DRC dhe në vendet fqinje si Uganda./mxh
