Last Updated on 10/08/2026 by Kesjana
Ministri Nufi: “Mirënjohje e përzemërt për përkushtimin, guximin dhe sakrificën në çdo mision në përballjen me zjarret”
Tiranë, 10 Gusht 2026 – Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi zhvilloi një takim me pilotët e Forcës Ajrore në Bazën Ajrore të Farkës, në një moment kur efektivët e Forcave të Armatosura janë të angazhuar intensivisht në përballimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë sezonit veror.
Të pranishëm në këtë takim ishin gjjthashtu Shefi i Shtabit të Përgjjthshëm të FA, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Brigade Edmond Voci; pilotë të Forcës Ajrore, si dhe oficerëve të menaxhimit të dronëve.
Ministri Nufi e vlerësoi këtë takim si një mundësi për të përcjellë drejtpërdrejt mirënjohjen dhe falënderimin për pilotët, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrificë janë vënë në shërbim intensiv ndaj komuniteteve të prekura nga zjarret gjatë sezonit veror.
Ministri vlerësoi angazhimin e tyre në misionet ajrore, duke theksuar rëndësinë e rolit që Forcat Ajrore kanë në përballimin e emergjencave dhe në mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Në këtë takim të shkurtër, mesazhi ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë: mirënjohje për çdo orë fluturimi, për çdo mision dhe për gatishmërinë për të qenë në terren, në kushtet më të vështira.
“Faleminderit për sakrificën, për guximin dhe për përkushtimin tuaj. Në çdo mision, ju tregoni se çfarë do të thotë të jesh në shërbim të vendit dhe qytetarëve.” – iu është drejtuar pilotëve, Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi.
Pilotët e Forcës Ajrore vijojnë të jenë një hallkë e rëndësishme e kapaciteteve të Forcave të Armatosura në përballimin e emergjencave civile, duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në çdo moment./kb




