Last Updated on 01/07/2026 by Anisa
Kapitulli 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” si edhe projekti i mundshëm në Zvërnec, ishin në fokus të takimit të ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj me një delegacion eurodeputetësh të Parlamentit Europian.
Në një postim në rrjetet sociale Sofjan Jaupaj bëri të ditur se u prezantpi eurodeputetëve progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në fushën e mjedisit. Lidhur me projektin në Zvërnec, ai u shpreh se Ministria e Mjedisit po e ndjek çështjen me kujdes maksimal dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian. Sipas tij, çdo projekt do t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), procedurave ligjore, konsultimit publik dhe një procesi tërësisht transparent, me mbrojtjen e biodiversitetit si prioritet.
“I informova mbi ecurinë e procesit të integrimit në fushën e mjedisit, si edhe mbi arritjet kryesore të Shqipërisë, e cila sot konsiderohet një nga kampionet e Ballkanit Perëndimor në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Gjithashtu, i informova se çështja e projektit të mundshëm në Zvërnec është ndjekur dhe po ndiqet nga Ministria e Mjedisit me diligjencën më të madhe, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian. Siç është theksuar edhe nga Kryeministri, çdo projekt i mundshëm do t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), të gjitha procedurave ligjore, konsultimit publik dhe një procesi plotësisht transparent, me mbrojtjen e biodiversitetit dhe të vlerave natyrore si prioritet të panegociueshëm”.
Ministri theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar të respektojë standardet europiane në çdo vendimmarrje që lidhet me mjedisin, duke garantuar një ekuilibër mes zhvillimit dhe ruajtjes së natyrës.
Pas këtij takimi eurodeputetët zhvilluan një konferencë për shtyp./ad
