Last Updated on 11/08/2026 by EL
Situata me zjarret në vendin tonë vijon të mbetet problematike, pasi bëhet me dije se aktualisht 8 vatra zjarri janë akoma aktive. Përkatësisht vatra zjarri mësohet se janë aktive në Dajt, Drenie, Krujë, Përmet dhe Lurë.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në operacione për shuarjen totale të flakëve janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Sakaq raportohet se një vatër zjarri ka përfshirë, pasditen e kësaj të marte, një sipërfaqe pyjore në zonën e njohur si “Lëndina e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll. Për rrjedhojë thuhet se janë nisur drejt zonës një ekip prej 11 zjarrfikësish dhe 3 punonjës të shërbimit pyjor. Siç bën me dije dhe vetë ministria, po vijon puna intensivisht për shuarjen e flakëve dhe mosprekjen e banesave nga zjarri.
Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Situata e zjarreve gjatë 12 orëve të fundit
Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Në operacione janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Dajt – Vijon ndërhyrja në vatrat mbi tunelet e Qafë Mollës dhe në Priskë të Madhe, pa rrezik për zonat e banuara.
Drenie, Patos – Operacion intensiv nga toka dhe ajri, me forcat zjarrfikëse, bashkiake, 20 efektivë të FA-së dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Krujë – Vijon puna në Abazaj dhe Krastë–Halil. Situata monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe mbrojtja e banesave mbetet prioritet.
Përmet – Vijon ndërhyrja në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel, pa rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lurë, Dibër – Operacioni vijon me forca zjarrfikëse, ADZM, vullnetarë dhe 2 helikopterë të FA-së, me fokus mbrojtjen e banesave.
Në Vilëz, Kurbin, vatra është shuar plotësisht.
AKMC dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë koordinimin dhe ndërhyrjen në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive./ET
