Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka bërë me dije se është miratuar projekti i liceut francez të Korçës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Peleshi shkruan se ky projekt është një bashkëpunim mes qeverive shqiptare dhe franceze.
Peleshi thotë se kampusi do të përfshijë ambinete moderne për mësim, laboreatorë, konvikt dhe mensë, sipas standardeve europiane.
Postimi i Peleshit
Lajm i madh – miratohet projekti i liceut francez të Korçës
Ringritja e historisë së Liceut Francez të Korçës po merr formë si një projekt i ri ekselence në arsimin shqiptar edhe si rezultat i bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze.
Një shkollë publike, me orientim shkencor dhe teknologjik, ku mësimi do të zhvillohet në frëngjisht dhe anglisht. Në përfundim të studimeve, nxënësit do të kenë mundësinë të marrin dy diploma, shqiptare dhe franceze, duke pasur më shumë mundësi për studime dhe karrierë në Europë.
Miratimi i projektit të kampusit të ri të Liceut Francez në Korçë nga Këshilli Kombëtar i Territorit shënon një fazë të re në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm arsimor. Kampusi do të ndërtohet pranë godinës historike të Liceut dhe do të përfshijë ambiente moderne për mësim, laboratorë shkencorë, si edhe hapësira për mensë dhe konvikt, duke krijuar një infrastrukturë bashkëkohore për një shkollë të standardeve europiane.
Liceu Francez i Korçës është një projekt që vazhdon dhe forcon traditën, duke e kthyer atë në një qendër moderne të dijes dhe një shkollë me shtrirje jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale./mxh
