Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka përgënjeshtruar pretendimet se institucioni është goditur nga grupi i hakerave “Homeland Justice”.
Në një njoftim të bërë, AKSK njofton se materiali që ka qarkulluar është një komunikim zyrtar drejtuar infrastrukturave kritike dhe puna e institucionit vijon normalisht për sigurimin e sigurisë kibernetike.
Njoftimi i AKSK
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) sqaron opinionin publik se pretendimet e publikuara së fundmi mbi një komprometim të institucionit tonë, janë të pavërteta.
Materiali i qarkulluar përbën një komunikim zyrtar të AKSK drejtuar infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në kuadër të bashkëpunimit institucional, dhe nuk është komunikim i brendshëm.
AKSK vijon të operojë normalisht dhe mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë kibernetike, si dhe në informimin e saktë dhe transparent të publikut.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK./mxh
