Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Një delegacion nga Partia Popullore Evropiane ka mbërritur sot në selinë e Partisë Demokratike e Shqipërisë, në një vizitë që përfaqëson një mision faktmbledhës për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, vizita lidhet me dy rezoluta të rëndësishme për Shqipërinë: njëra e miratuar në Maltë në vitin 2024 dhe tjetra në prill 2025, që përqendrohen në zhvillimet zgjedhore në vend.
“Mision faktmbledhës i Partisë Popullore Europiane. Ju e dini që janë dy rezoluta shumë të fuqishme për Shqipërinë. Ka qenë kërkesa jonë që të ketë një mision faktmbledhës për të parë në vend të gjitha zhvillimet. U jemi shumë mirënjohës. Kanë ardhur përfaqësues të 28 partive simotra në këtë mision. Për ne është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm,” tha Berisha.
Ai shtoi se takimet janë mbajtur nën rregullin e Chatham House, që nënkupton konfidencialitet në diskutime, dhe për këtë arsye nuk mund të bëhen publike detajet e bisedimeve. Berisha theksoi se temat qendrore për opozitën kanë qenë zgjedhjet dhe situata e drejtësisë, duke përfshirë shqetësimet për narkoshtetin dhe çështje të tjera kritike për sistemin gjyqësor.
“Natyrisht, temë qendrore për një opozitë janë zgjedhjet dhe aty u bë një ekspoze. E keni parë ju librin 1500 faqe me mijëra dokumente. U paraqitën gjerësisht. U diskutua për narkoshtetin, asgjësimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto. Por unë nuk mund të hyj në detaje për arsye se është rregulli Chatham House që duhet të zbatohet,” tha Berisha.
