Dy objekte të vogla metalike, të fshehura mes një thesari të jashtëzakonshëm ari të Epokës së Bronzit, kanë mbajtur për më shumë se gjashtë dekada një sekret që sfidonte historinë e njohur të metalurgjisë. Tani, shkencëtarët kanë konfirmuar se metali i tyre nuk vinte nga Toka, por nga hapësira. Bëhet fjalë për një byzylyk dhe një objekt hemisferik të zbrazët nga i ashtuquajturi Treasure of Villena, të zbuluar në vitin 1963 pranë qytetit Villena në Spain.
Një ekip studiuesish i udhëhequr nga Salvador Rovira-Llorens konfirmoi përmes analizave kimike se objektet janë krijuar nga hekur meteorik, duke i bërë ato objektet më të hershme të njohura prej hekuri nga meteoriti në Gadishullin Iberik. Studimi, i publikuar në revistën Trabajos de Prehistoria, sugjeron se objektet datojnë në Epokën e vonë të Bronzit, shumë shekuj përpara se përpunimi i zakonshëm i hekurit të niste në rajon. Thesari i Villenës përbëhet nga 66 objekte me afro 10 kilogramë ar, përfshirë kupa, enë, byzylykë dhe dekorime të ndryshme. Ai konsiderohet një nga thesaret prehistorikë më të rëndësishëm të Evropës dhe ekspozohet sot në Museo Arqueológico José María Soler.
Megjithatë, dy objektet prej hekuri kishin krijuar prej kohësh një mister, pasi sipas kronologjisë arkeologjike, Iberia nuk kishte hyrë ende në Epokën e Hekurit kur thesari u varros, mes viteve 1500 dhe 1200 para Krishtit.
Shkencëtarët zbuluan se hekuri përmbante nivele të larta nikeli, një “nënshkrim” tipik i meteoriteve metalike. Analizat treguan se materiali kishte origjinë jashtëtokësore, edhe pse korrozioni i madh kishte vështirësuar matjet. Sipas studiuesve, objektet mund të jenë krijuar nga një fragment meteori i gjetur lokalisht ose i sjellë përmes rrjeteve tregtare mesdhetare. Për njerëzit e lashtë, materiali duhet të ketë pasur një vlerë të veçantë për shkak të fortësisë dhe pamjes së tij të pazakontë.
Zbulimi i shtohet një grupi shumë të vogël artefaktesh të Epokës së Bronzit të krijuara nga hekur meteorik, ku përfshihet edhe thika e famshme e Tutankhamun, e gjetur në varrin e faraonit egjiptian. Studiuesit theksojnë se nevojiten analiza të tjera për të konfirmuar plotësisht rezultatet, por përfundimi tashmë po ndryshon mënyrën si shihet metalurgjia prehistorike në Iberi: artizanët e lashtë po punonin me hekur nga hapësira shumë kohë para se të mësonin ta nxirrnin atë nga toka./kb
