Ndërsa familjet në të gjithë botën po përballen me kostot e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, disa kompani po numërojnë fitime rekord. Paqartësia e shkaktuar nga konflikti dhe mbyllja de facto e Ngushticës së Hormuzit nga Irani po rrisin koston e jetesës dhe po godasin buxhetet e kompanive, familjeve dhe qeverive. Por ndërsa disa biznese janë shtyrë drejt krizës, të tjera, aktiviteti kryesor i të cilave bëhet më fitimprurës gjatë luftës ose që përfitojnë nga luhatjet e çmimeve të energjisë kanë parë të ardhura rekord.
Ja disa nga sektorët dhe kompanitë që po fitojnë miliarda ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon.
Nafta dhe gazi
Ndikimi më i madh ekonomik i luftës deri tani ka qenë rritja e çmimeve të energjisë. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit botëror transportohet përmes Ngushticës së Hormuzit, por këto dërgesa praktikisht u ndalën në fund të shkurtit. Rezultati ka qenë një luhatje ekstreme e çmimeve në tregjet energjetike, nga e cila kanë përfituar disa nga kompanitë më të mëdha të naftës dhe gazit në botë. Përfituesit kryesorë kanë qenë gjigantët europianë të naftës, të cilët kanë edhe divizione tregtare dhe kanë mundur të përfitojnë nga lëvizjet e forta të çmimeve që kanë rritur fitimet.
Fitimet e BP u më shumë se dyfishuan, duke arritur në 3.2 miliardë dollarë (2.4 miliardë paund) gjatë tre muajve të parë të vitit, pas asaj që kompania e quajti një performancë “të jashtëzakonshme” në divizionin e saj të tregtimit. Edhe Shell tejkaloi pritshmëritë e analistëve, kur raportoi një rritje të fitimeve të tremujorit të parë në 6.92 miliardë dollarë.
Një tjetër gjigant ndërkombëtar, TotalEnergies, pa fitimet të rriteshin me pothuajse një të tretën, duke arritur në 5.4 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2026, të nxitura nga luhatjet në tregjet e naftës dhe energjisë. Gjigantët amerikanë ExxonMobil dhe Chevron panë rënie të fitimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për shkak të ndërprerjeve të furnizimit nga Lindja e Mesme, por të dy tejkaluan parashikimet e analistëve dhe presin që fitimet të rriten më tej gjatë vitit, ndërsa çmimi i naftës mbetet dukshëm më i lartë se para shpërthimit të luftës.
Bankat e mëdha
Edhe disa nga bankat më të mëdha në botë kanë parë rritje të fitimeve gjatë luftës në Iran. Divizioni i tregtimit i JP Morgan gjeneroi një rekord prej 11.6 miliardë dollarësh të ardhura gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, duke ndihmuar bankën të regjistrojë fitimin e saj të dytë më të madh tremujor në histori.
Në pjesën tjetër të “Big Six”, që përfshin Bank of America, Morgan Stanley, Citigroup, Goldman Sachs dhe Wells Fargo, përveç JP Morgan fitimet u rritën ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit.
Në total, bankat raportuan 47.7 miliardë dollarë fitime gjatë tre muajve të parë të vitit 2026.“Volumet e larta të tregtimit kanë favorizuar bankat e investimeve, veçanërisht Morgan Stanley dhe Goldman Sachs,” tha Susannah Streeter, drejtuese e strategjisë së investimeve në Wealth Club.
Institucionet kryesore financiare në Wall Street janë favorizuar nga rritja e kërkesës për tregtim, ndërsa investitorët janë larguar nga aksionet dhe obligacionet më të rrezikshme për të kaluar kapitalin në asete që konsiderohen më të sigurta. Volumet e tregtimit janë rritur gjithashtu nga investitorët që kërkojnë të përfitojnë nga luhatjet në tregjet financiare. Streeter shtoi: “Paqëndrueshmëria e shkaktuar nga lufta ka sjellë një bum tregtimi, pasi disa investitorë shitën aksione nga frika e përshkallëzimit, ndërsa të tjerë blenë gjatë rënies, duke nxitur një rikuperim të tregjeve.”
Mbrojtja
Një nga përfituesit më të menjëhershëm në çdo konflikt është sektori i mbrojtjes, sipas Emily Sawicz, analiste e lartë në RSM UK. “Konflikti ka nxjerrë në pah boshllëqet në kapacitetet e mbrojtjes ajrore, duke përshpejtuar investimet në mbrojtjen raketore, sistemet kundër dronëve dhe pajisjet ushtarake në Europë dhe SHBA,” tha ajo për BBC.
Përveç theksimit të rëndësisë së kompanive të mbrojtjes, lufta krijon edhe nevojën që qeveritë të rimbushin rezervat e armëve, duke rritur kërkesën. BAE Systems, e cila prodhon komponentë për avionët luftarakë F35, deklaroi në një përditësim tregtar të enjten se pret rritje të fortë të shitjeve dhe fitimeve këtë vit.
Kompania përmendi “kërcënimet në rritje për sigurinë” në botë, të cilat po shtyjnë qeveritë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, duke krijuar një “mjedis mbështetës” për biznesin e saj. Lockheed Martin, Boeing dhe Northrop Grumman; tre nga kontraktorët më të mëdhenj të mbrojtjes në botë raportuan secili rekorde porosish të prapambetura në fund të tremujorit të parë të vitit 2026. Megjithatë, aksionet e kompanive të mbrojtjes, të cilat janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, kanë nisur të bien që nga mesi i marsit, mes frikës se sektori është mbivlerësuar.
Energjia e rinovueshme
Konflikti ka nxjerrë gjithashtu në pah nevojën për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile, tha Streeter. Sipas saj, kjo ka “superkarikuar interesin për sektorin e energjisë së rinovueshme”, madje edhe në SHBA, ku administrata Trump ka popullarizuar sloganin “drill, baby, drill”, duke nxitur përdorim më të madh të karburanteve fosile.
Streeter tha se lufta ka bërë që investimet në energjinë e rinovueshme të konsiderohen gjithnjë e më të rëndësishme për stabilitetin dhe rezistencën ndaj krizave.
Një nga kompanitë që ka përfituar është NextEra Energy me bazë në Florida, aksionet e së cilës janë rritur me 17% këtë vit, ndërsa investitorët po mbështesin misionin e saj. Gjigantët danezë të energjisë së erës Vestas dhe Orsted kanë raportuar gjithashtu fitime në rritje, duke treguar se pasojat e luftës me Iranin po favorizojnë edhe kompanitë e energjisë së pastër.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Octopus Energy deklaroi së fundmi për BBC se lufta ka shkaktuar një “goditje të madhe” në shitjet e paneleve diellore dhe pompave të nxehtësisë, me shitjet e paneleve diellore që janë rritur me 50% që nga fundi i shkurtit. Rritja e çmimeve të karburantit ka shtuar gjithashtu kërkesën për automjete elektrike, ku prodhuesit kinezë po përfitojnë veçanërisht nga kjo mundësi./BBC-A.D
