Një pllakë bazalti e zbuluar në Gjeorgji, me një shkrim të panjohur, mund të rishkruajë historinë e gjuhëve të lashta të Kaukazit misteroz.
Në vitin 2021, në brigjet e një liqeni të vogël artificial në pllajën vullkanike të Dmanisit, Gjeorgji, disa peshkatarë nxorën nga uji diçka krejt të papritur: një pllakë bazalti të mbuluar me simbole të panjohura. Gjashtëdhjetë simbole, tridhjetë e nëntë prej tyre unike, të gdhendura me shpime konike në një material jashtëzakonisht të fortë. Një mbishkrim i vërtetë – por në çfarë gjuhe? Dhe mbi të gjitha… a bëhet fjalë për një gjuhë të panjohur më parë? Pa e ditur, peshkatarët i kishin ofruar arkeologjisë një nga gjetjet më enigmatike të Kaukazit: pllakën e Bashplemit.
Pllaka e bazaltit dhe shenjat e saj misterioze
Objekti, i studiuar dhe botuar në vitin 2024 në Journal of Ancient History and Archaeology me titullin “Zbulimi i Shenjave të një Shkrimi të Panjohur në Gjeorgji: Pllaka e Liqenit Bashplemi”, është një pllakë bazalti vendas, me madhësi afërsisht sa një libër, e gdhendur në njërën anë me gjashtëdhjetë shenja, nga të cilat tridhjetë e nëntë janë të ndryshme. Fotot dhe vizatimet teknike zbulojnë një “qiell simbolesh”: vija, spirale, kënde dhe pika të organizuara në shtatë rreshta horizontalë.
Karakteret e pllakës së Bashplemit
Një ilustrim tregon 60 shenjat, të ndara në shtatë “regjistra”. Ndër elementet më të veçanta janë shenja nr. 4, një treshe pikash që mund të shërbejë si ndarës ose shënues numerik; çiftet 13–14 dhe 48–49, që përsëriten në mënyrë të kombinuar; si dhe grupimi i dendur i shenjave 29–31. Në regjistrin e pestë bien në sy shenjat 47 dhe 54, me funksion ende të paqartë. Rreshti i fundit përfundon me simbolet 58–60, ku spiralia nr. 59 duket të jetë më enigmatiku. Ajo mendohet të jetë një logogram – pra një shenjë që nuk shënon tingull, por një fjalë ose koncept të tërë – ose një simbol ritual.
Një hipotezë është se i gjithë mbishkrimi regjistron sasi, inventar apo oferta të strukturuara sipas seksioneve.
Gjeologët konfirmojnë se pllakë është prodhuar nga bazalti i pllajës së Dmanisit; analiza mikroskopike tregon se gdhendjet janë bërë me shpime konike dhe mjete gërryese, jo me thika moderne. Krijimi i një falsifikimi të tillë do të kërkonte teknikë dhe njohuri të pamundura për kontekstin e gjetësve – banorë të një fshati rural, të cilët madje e kishin gërvishtur sipërfaqen pa e kuptuar vlerën e objektit.
Një shkrim që nuk ngjan me asnjë alfabet të njohur
Këtu fillon misteri i vërtetë: çfarë lloj shkrimi është ky? Studiuesit i krahasuan shenjat me mbi njëzet sisteme të njohura, nga alfabetet semitike (fenikase, aramaike, hebraike) te greqishtja arkaike, nga shkrimet kaukaziane (gjeorgjishtja e vjetër, të supozuarat “runa kolkiane”) te brahmi, hieroglifet e vona egjiptiane dhe alfabetet iberike para-romake. Ka ngjashmëri të pjesshme, por asnjë përputhje të plotë: sikur pllaka të fliste një gjuhë “të familjes”, por jo identike me asnjë prej tyre.
Ngjashmëria më e fortë grafike lidhet me shenjat proto-gjeorgjiane dhe me simbolet e Epokës së Hekurit në rajon, duke sugjeruar një origjinë lokale, ndoshta të lidhur me kulturat e Kolkisit dhe Iberisë Kaukaziane, midis Epokës së Bronzit të Vonë dhe Epokës së Hekurit të Hershëm (shek. XIII–IX p.K.), shumë kohë përpara mbishkrimeve të para gjeorgjiane të krishtera.
Një gjuhë e humbur e Kaukazit?
Imagjinoni skenën origjinale: dikush, mbi tre mijë vjet më parë, u ul me mjetet më të mira metalike të kohës dhe gdhendi me durim këtë tekst mbi një gur jashtëzakonisht të fortë. Ai nuk po e bën për zbukurim; përpunimi i bazaltit është i vështirë, prandaj zgjedhja e këtij materiali tregon se informacioni ishte menduar të ishte i qëndrueshëm.
Studiuesit supozojnë se mund të jetë një listë plaçkash lufte, veprimesh publike ose një ofertë kushtimore për një hyjni. Por pa e ditur vlerën fonetike të shenjave, çdo interpretim mbetet i kufizuar.
A kemi zbuluar një gjuhë të re?
Jo ende. Ajo që kemi me siguri është një sistem shkrimi i panjohur më parë, ndoshta pjesë e një tradite më të gjerë, sot thuajse e zhdukur. Ashtu si Disku i Faistos në Egjeun, pllaka e Bashplemit është një dritare gjysmë e hapur: tregon se në Kaukazin e lashtë kishte shumë më tepër “tekst” sesa kemi menduar, por ende nuk na tregon se çfarë ishte shkruar aty.
Burimi: focus.it/ Roberto Graziosi/ Përgatiti: L.Veizi
