Last Updated on 02/07/2025 by adminfjala
2 korrik 1961
Leonard Veizi
Mëngjesi i 2 korrikut 1961 zbardhi i qetë mbi peizazhin e Idaho-s, por brenda shtëpisë prej guri në Ketchum, heshtja u thye nga krisma e vetme e një arme zjarri. Aty, midis librave, kujtimeve dhe hijeve të luftës, Ernest Heminguej – shkrimtari i burrërisë së plagosur dhe heshtjes së rëndë – i dha fund jetës me dorën e vet. Ishte gruaja e tij, Mary Welsh, ajo që e gjeti trupin dhe i tha botës se kishte qenë një aksident, një pastrim i gabuar i armës. Por vetë lexuesit e Heminguejt e dinin tashmë se ai kishte qenë gjithmonë duke u përballur me vdekjen – si burrë, si ushtar, si shkrimtar – dhe ndoshta edhe duke e kërkuar, në heshtje, në çdo rresht të pagjakur që mbante peshën e dhimbjes. Në fund, e zgjodhi vetë mënyrën për të heshtur përgjithmonë.
Një jetë mes armëve
Heminguej nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm – ai ishte një mit i gjallë, një figurë e ndërtuar nga guximi, rreziku dhe përvoja e drejtpërdrejtë. Luftëtar vullnetar në Luftën e Parë Botërore, gazetar në Luftën Civile Spanjolle, korrespondent në Luftën e Dytë Botërore, gjahtar pasionant në Afrikë, peshkatar ekstrem në Karaibe – Heminguej e jetoi jetën në buzë të greminës, shpesh përballë vdekjes. Ai u plagos rëndë në Itali, u përball me predha në Spanjë, u rrah nga një makinë në Londër, gati vdiq nga helmimi i gjakut, dhe më 1954, mbijetoi dy aksidente ajrore radhazi në Afrikë, duke lënë të tronditur gjithë botën që e kujtoi të vdekur. Si të mos mjaftonin plagët fizike, ai vuante edhe nga alkoolizmi, depresioni kronik, dhe filloi të shfaqte shenja paranoje e psikozash në vitet e fundit.
Trashëgimia e dhimbjes dhe e fjalës
Vetëvrasja nuk ishte një akt i paparashikueshëm në jetën e tij: babai i tij, Klarëns Heminguej, gjithashtu kishte kryer vetëvrasje me një revolver në vitin 1928. Kjo plagë e trashëguar shfaqet si temë në shumë nga tregimet dhe romanet e tij, veçanërisht në “For Whom the Bell Tolls” apo i ardhur në shqip si; “Për kë bien kambanat”. Por ndoshta ai e ndiente që nuk mund të shkruante më si dikur. Hemingueji vuante nga depresioni, dëmtime neurologjike dhe ankth. Trajtimi me elektroshok, që iu bë në klinika psikiatrike në SHBA, nuk bëri gjë tjetër veçse ia fshiu kujtesën dhe ia shoi aftësinë për të shkruar – një dënim tragjik për një burrë që kishte jetuar përmes fjalës.
Një zë që nuk heshti kurrë
Heminguej ishte një mjeshtër i stilit të prerë, të drejtpërdrejtë, i stilit “iceberg”, ku nëntekstet shfaqen më shumë sesa thuhet. Çmimi Pulitzer për “Plaku dhe Deti” dhe Çmimi Nobel për Letërsi në vitin 1954, ishin kulmet publike të një jete që brenda vetes përmbante gjithnjë një betejë të heshtur.
Pas vdekjes së tij, presidenti Xhon F. Kennedi tha: “Hemingway ka lënë pas një pasuri të veçantë për popullin e tij dhe për botën: ai ka krijuar modele burrërie dhe heroizmi, dhe përshkroi jetën në një mënyrë që vetëm shumë pak kanë ditur ta bëjnë.”
Fund i parashkruar i një heroi tragjik
Vdekja e Heminguejt ishte, në një farë mënyre, një përmbushje e trishtueshme e vetë filozofisë së tij jetësore: njeriu qëndron përballë vuajtjes me dinjitet dhe heshtje. Ai jetoi si një legjendë dhe vdiq siç jetojnë legjendat – tragjikisht, por pa u ulur kurrë në gjunjë. Vepra e tij mbetet një testament i guximit, i dhimbjes dhe i artit, ndërsa vdekja e tij na kujton se edhe ata që shkëlqejnë më fort, digjen më thellë nga brenda.