Last Updated on 25/01/2026 by Leonard
Nga Leonard Veizi
Me sa duket në këtë botë ka njerëz që vijnë me një trup prej qelqi, por me një shpirt që refuzon të thyhet, qoftë dhe nga harresa. Amedeo Modiljani dukej se e mbante vdekjen si një shoqe rruge që në hapat e parë; ai e dinte se koha e tij nuk ishte një lumë i gjatë, por një rrymë e vrullshme që nxitonte drejt derdhjes…
…Ethet e fëmijërisë dhe mushkëritë e brishta nuk ishin thjesht sëmundje, por “mësueset” e para që i treguan kufirin e materies. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai nisi të pikturonte njerëz që duken sikur po treten ngadalë në ajër – figura që zgjaten drejt qiellit, duke u bërë të tejdukshme, por kurrë të padukshme.
Fillimet
Ai lindi në Livorno, në vitin 1884, në një shtëpi ku varfëria trokiste në derë, por muret ishin të veshura me letërsi dhe dashuri. Nëna e tij, e vetmja që diti të lexonte “kodin” e fshehtë të djalit të saj, shkruante në ditar se brenda Amedeos fshihej diçka e jashtëzakonshme. Ajo nuk e mjekoi vetëm me ilaçe, por me liri. Kjo mbështetje e heshtur u bë thalmi i artit të tij: Modiljani nuk kërkonte thjesht të pikturonte portrete, ai kërkonte të gjente në fytyrat e botës atë miratim të qetë dhe atë dritë që kishte parë në sytë e nënës.
Në Paris
Kur mbërriti në Paris në fillim të shekullit XX, ai u bë “princi i bohemëve”, por mbeti përjetësisht një i huaj. Mes mjegullës së absintit dhe kollës që i griste kraharorin në rrugicat e Montmartre-it, ai nuk pikturonte për të pasqyruar realitetin, por për ta zhveshur atë. Te Modljani, qafat zgjaten si korda violine dhe fytyrat humbasin simetrinë tokësore për të fituar një harmoni hyjnore.
“Modiljani nuk i pikturonte njerëzit ashtu siç dukeshin. Ai i pikturonte ashtu siç ndiheshin kur mbeteshin vetëm me veten.”
Sytë në tablotë e tij—shpesh thjesht bajame të errëta pa bebëza—janë dritare të mbyllura për botën e jashtme, por të hapura drejt shpirtit. Ai nuk kërkonte duartrokitjet e salloneve të mëdha; ai kërkonte atë heshtje mistike që ndodh kur një shikues ndalon para një pikture dhe ndjen se po shihet nga brenda.
Bashkëjetesa
Në vitin 1917, Modljani filloi të pikturonte një seri prej rreth 30 nudo të mëdha femrash që, me ngjyrat e tyre të ngrohta, të ndezura dhe format sensuale, të rrumbullakosura, janë ndër veprat e tij më të mira. Në dhjetor të atij viti, Bertë Veil organizoi një ekspozitë personale për të në galerinë e saj, por policia i gjykoi nudot të pahijshme dhe i hoqi ato. Po atë vit, artisti filloi një lidhje dashurie me piktoren e re Zhëne Hebutern (Jeanne Hébuterne), me të cilën shkoi të jetonte në Kôte d’Azur. Vajza e tyre, Zhëne, lindi në nëntor 1918.
Dashuria e tij, Zhëne Hebutern, ishte e vetmja që mundi të banonte në vetminë e tij. Ajo nuk ishte thjesht një muzë, por një pasqyrë e ankthit dhe brishtësisë së tij. Modljani e pikturoi atë me një butësi pothuajse fetare, sikur peneli të kishte frikë se mos e lëndonte lëkurën e saj prej porcelani. Ata jetuan në një simbiozë tragjike, ku kufiri mes artit, dashurisë dhe sëmundjes u fshi plotësisht.
Fundi tragjik
Më 24 janar 1920, në moshën 35-vjeçare, Amedeo mbylli sytë për herë të fundit, i lodhur nga një betejë që trupi nuk mund ta fitonte dot më. Por tragjedia nuk u ndal aty. Të nesërmen, Zhëne, e veshur me dëshpërimin e saj dhe me një jetë të re që rritej në bark, zgjodhi ta ndiqte në amshim. Nuk ishte një akt dorëzimi, por një refuzim për të jetuar në një botë ku ngjyrat e Modiljanit ishin tharë.
Aktualitet
Sot, bota i përket atij. Pikturat e tij, dikur të shpërfillura, tani kurohen si thesare të shenjta. Por përtej famës dhe miliona dollarëve, mbetet ai djaloshi i brishtë nga Livorno, që e bëri dhimbjen e tij të bukur. Fytyrat e tij vazhdojnë të na vështrojnë me atë melankoli të sinqertë, duke na kujtuar se arti nuk shërben për të treguar si jemi, por për të zbuluar se kush mbetemi kur koha na zhvesh nga gjithçka.
