Last Updated on 13/10/2026 by Anisa
Çmimi i naftës në tregun vendas është rritur sërish, duke arritur në 219 lekë për litër, nga 211 lekë për litër që ishte përcaktuar në vendimin e mëparshëm të Bordit të Transparencës, më 10 tetor.
Brenda tri ditësh, nafta është shtrenjtuar me 8 lekë për litër, ose rreth 3.8%.
Sipas vendimit të ri të Bordit të Transparencës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i naftës (gazoil) është përcaktuar në 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është rritur nga 199 në 207 lekë për litër, gjithashtu me 8 lekë.
Rritje ka shënuar edhe çmimi i benzinës, por në përmasa më të vogla.
Çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 196 lekë për litër, nga 195 lekë që ishte më 10 tetor, ndërsa ai i shitjes me shumicë ka arritur në 184 lekë për litër, nga 183 lekë më parë.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi më 13 tetor, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Rritja e re e çmimeve të karburanteve vjen në një periudhë kur tregu i hidrokarbureve është vendosur nën masa të veçanta ndërhyrjeje nga qeveria.
Bordi i Transparencës është rikthyer në funksion në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026, për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Në njoftimin e fundit, institucionet përgjegjëse kanë paralajmëruar se mosrespektimi i çmimeve tavan do të shoqërohet me pezullimin e aktivitetit të operatorëve që shkelin vendimin./ad
