Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Pavarësisht synimit të qartë të Mbretit Charles për të zbutur tensionet mes Britanisë dhe SHBA-së me fjalimin e tij të djeshëm në Kongres, nuk munguan as nëntekste ironike.
Përveç shkëmbimeve të mirësjelljes mes dy liderëve, Charles iu referua një deklarate të mëparshme të Donald Trump mbi varësinë e Evropës nga SHBA-ja.
“Ju keni thënë së fundmi, zoti President, se nëse nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane do të flisnin gjermanisht. Guxoj të them se, nëse nuk do të ishim ne, ju sot do të flisnit frëngjisht”, u shpreh ai, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Vërehet se referenca historike e Charles-it lidhet me periudhën e përplasjes mes fuqive britanike dhe franceze për kontrollin e territoreve në Amerikën e Veriut, para pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Mbreti Charles III falënderoi ligjvënësit amerikanë dhe popullin amerikan për mikpritjen, me rastin e 250-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Fjala e tij për pavarësinë amerikane u shoqërua me duartrokitje të gjata dhe entuziaste në Kongres, ndërsa monarku britanik theksoi se rrugët e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar janë të lidhura në mënyrë të pandashme.
“Siç ka thënë Oscar Wilde: ‘Sot kemi vërtet gjithçka të përbashkët me Amerikën, përveç gjuhës!’”, bëri shaka Mbreti, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
“Po takohemi në një periudhë pasigurie të madhe”, shtoi Mbreti Charles, duke iu referuar zonave të luftës në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Ai foli gjithashtu për sulmin e armatosur në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe Donald Trump. “Pavarësisht dallimeve tona, ne qëndrojmë të bashkuar në angazhimin për të mbrojtur demokracinë dhe qytetarët tanë”, tha ai.
“Shtetet tona gjithmonë gjejnë mënyra për t’u afruar me njëri-tjetrin”, vuri në dukje ai për SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Ndoshta mund të biem dakord që nuk jemi gjithmonë dakord – të paktën në shikim të parë! Në të vërtetë, vetë parimi mbi të cilin u themelua Kongresi juaj – asnjë taksim pa përfaqësim – ishte në të njëjtën kohë një mosmarrëveshje themelore me ne, por doli nga vlera e përbashkët demokratike që ju trashëguat prej nesh. Bashkëpunimi ynë lindi nga mosmarrëveshjet, por kjo nuk e bën atë më pak të fortë”, komentoi mbreti.
”Kombet tona instinktivisht ruajnë një mënyrë të përbashkët të të menduarit», shton ai. ”Sot ne bashkohemi jo vetëm për të mirën e popujve tanë, por për të mirën e të gjithë popujve”.
”Lidhja midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është e çmuar dhe e përjetshme, e pazëvendësueshme dhe e pathyeshme”, shtoi Charles./fjala.al
