Last Updated on 27/10/2026 by EL
Modelja kosovare, Arbenita Ismajli, ka publikuar disa mesazhe të forta në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime për patriarkatin, pavarësinë e grave dhe besimin te institucionet që duhet të garantojnë sigurinë e tyre dhe të fëmijëve.
Në një prej postimeve të saj, Arbenita u është drejtuar drejtpërdrejt grave, duke i inkurajuar të mos e ndërtojnë jetën sipas pritshmërive të shoqërisë dhe të mos marrin vendime të rëndësishme vetëm për t’iu përshtatur normave tradicionale.
“Oj femra, mjaft u dhatë pushtet burrave mbi jetët tuaja! Mos u martoni, mos bëni fëmijë vetëm sepse kështu e kërkon shoqëria”, shkruan modelja.
Në një tjetër postim, Arbenita ka folur nga këndvështrimi i saj si nënë, duke shprehur humbjen e besimit te gjykatat, prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale.
Ajo pretendon se institucionet nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur frikës, traumës dhe sigurisë së saj dhe të fëmijës.
“Për ta ishim thjesht një dosje, jo dy jetë njerëzish që meritonin mbrojtje”, thuhet në reagimin e saj.
Modelja thekson se nuk ndihet e detyruar t’u besojë institucioneve që, sipas saj, nuk i kanë ofruar mbrojtjen e nevojshme, duke vënë në pah rëndësinë e ndërhyrjes në kohë për të parandaluar pasoja të rënda.
“Nuk kam detyrim t’i besoj një sistemi që na ka dështuar. Kam detyrim ta mbroj fëmijën tim dhe veten, me çdo kusht”, shkruan ajo.
Reagimet e Arbenitës vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, e cila më herët i ishte drejtuar me një letër kryeprokurores në Pejë lidhur me rastin e saj.
Modelja ka qenë e martuar me reperin Fero, me të cilin ka një vajzë. Reperi është përballur me akuza për dhunë në familje.
Përmes këtyre mesazheve, Arbenita ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së grave, rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe të drejtën e tyre për të vendosur vetë për jetën e tyre, pa presionin e pritshmërive shoqërore.

