Last Updated on 27/05/2026 by Kesjana
Nga Beqir Hameti
Shumë të nderuar, z. Gramoz Sako, Kryetar i Bashkisë; z. Arben Gumeni, Kryetar, Znj. Mjaftoni Zeraj dhe Z. Latif Kacaj, anëtarë të Këshillit Tepelenë; z. Artur Ormeni, Administrator i Njësisë së Lopësit tonë të dashur, si dhe vëllai ynë Baki Luzaj, Kryeplak i fshatit Matohasanaj,
Të dashur vëllezër dhe motra, bashkëfshatarë, nënshkrues, dashamirës dhe pjesëmarrës në këtë ceremoni inaugurimi,
Të dashura vajzat, nipër dhe mbesa të Naimit tonë të paharruar, ju që keni përjetuar peshën e vuajtjeve dhe dhimbjes, por gjithashtu vijoni të mbani edhe krenarinë e ligjshme për emrin e Tij,
Nuk e çmoj fare të nevojshme të mbajmë një fjalim të zgjatur apo zyrtar mes bashkëfshatarëve dhe bashkëlopsitëve, për të përshkruar udhëtimin jetësor dhe veprën e ndritur të vllait tonë Naim Muhaj.
Në fakt ka shumë për të thënë, për më tepër nga mua si bashkëmoshatar, por e sigurt që edhe Naimi nuk do ta donte këtë.
Por, meqë gjeneral Pirua (nipi i Naimit), për humor, më ka emëruar “KryeMisionar, ndërsa Shaskë Ahmetin, Fredin Caushin dhe Bari Hametin si ndihmësa”. Pra edhe në emër të tyre kam privilegjin, kënaqësinë por edhe përgjegjësinë që me këtë rast të bëj një përshkrim të shkurtër të udhëtimit, figurës dhe vlerave të Naimit deri të skalitja në këtë tabelë që shkëlqen si vetë emri rrugës që sot po e inaugurojmë:
Kur niprit dhe një grup bashkëfshatarësh që jetojmë kryesisht në Tiranë më prezantuan një dëshirë – amanet të motrës së Naimit (Fatimeja, 91 vjeçe) që jeton me vajzën në SHBA, për të përjetësuar emrin e Naimit në një rrugë të vendlindjes, i’u bashkova pa asnjë dilemë kësaj nisme shumë të gjetur, fisnike si dhe detyrimi moral njëherësh.
Sigurisht nga Matohasanajt kanë dalë emra të mëdhenj si Baba Saliu, Mato Caushi, Islam Yzeiri, Husen Muharremi, Sadik Lamja, Meme Dimraj, Lulo Myslymi, Halo Kërri, Asllan Murati, Tafil Abedin, Memet Kareman, Leven Lilaj, etj, por besoj se s’ka askush dyshim që edhe Naim Myrto Muhaj mbetet mes të barabartësh, pra si një personalitet që i bënë nder fshatit dhe i jep vlera shtesë kësaj rruge.
Më tej, siç të gjithë e dimë, me nënshkrimin e kryepleqësisë dhe një liste të zgjeruar bashkëfshatarësh që jetojnë në Matohasanaj, Tepelenë, Tiranë, etj si dhe të Kryetarit të Njësisë Administrative Lopës, ky propozim u miratua me 100% të votave të Këshillit Bashkiak Tepelenë.
Siç edhe e tash më lartë nuk do zgjatem, por disa gjëra fare shkurt dëshiroj dhe meritojnë ti përmendim me rastin e kësaj ngjarje nderimi:
Naimi ynë ka lindur, më 29 korrik 1939 në Matohasanaj, ku kaloi edhe vitet e fëmijërisë si dhe kreu shkollën fillore. Me përfundimin e studimeve ushtarake Tiranë, u emërua në Ishullin e Sazanit, ndërsa mbas Kademisë se lartë Komandant i Ishullit, ku punoi, drejtoi dhe jetoi bashkë me familjen, përfshi dhe nënë Bejushen (e bija e Beqar Maskës nga Dhëmblani) për më rreth 18 vjet.
Mbas përfundimit së Shtatmadhorisë në fund të 1970, u emërua në funksionin e lartë të Komandantit të Korpusit të Tiranës, ndërsa më vonë, si Komandant i Divizionit Lushnjë, ku fillon dhe “drama” e tij.
Kështu, në mesin e viteve ’80, e gjejnë me pranga dhe mes torturave në qelitë e burgjeve si dhe një kalvari vuajtjesh që e përjetuan padrejtësisht edhe familja si dhe të afërmit. E dënuan me 15 vite burg si: “sabotator dhe agjitacion kundër udhëheqësve të lartë të Partisë”. Shumë ironike kjo, pasi për fortifikimin e Ishullit kishte marrë lavdërime deri “legjendë e Ishullit”, si dhe dekorata nga autoritetet më të larta shtetërore të kohës.
Por Komandant Naimi, siç e thërrisnin me respekt në Tiranë, këtu në Lopës dhe anebanë Shqipërisë, nuk u gjunjëzua sepse me vete kishte të vërtetën, bekimin e babës, të urtit Myrto Rushiti, ndërgjegjen e pastër, bashkëshorten Lutfie dhe 4 vajzat (Moza, Nora, Vjollca e paharruar si dhe më e vogla Ina); 2 Motrat Naxho dhe Fatime, vllain Qemal, nipat dhe mbesat, të afërmit, bashkëfshatarët dhe miqtë që i donte aq shumë.
Qëndroi burrërisht, si pasardhës i Veliko Muhaj për të drejtën dhe fitoi pafajësinë në të gjitha shkallët e Gjykatës. Kështu, ai ishte dhe mbeti deri në fund një burrë i rrallë pasi falte shumë, nuk kërkonte hakmarrje, as nuk vuante nga delire si dhe paranoja madhështish.
Mbas viteve 1991, pra që në vitet e para të demokracisë, Naimi rikthehet në Ministrinë e Mbrojtjes me gradën kolonel, duke vijuar kontributet në reformimin e Ushtrisë si dhe anëtarësimin në NATO.
Përtej karrierës brilante, përkushtimit shëmbullor dhe kontributeve të spikatura Naimi ka mbartur virtyte të larta humane. Nëse ka një vlerë madhore që e dallonte dhe e përjetëson në kujtimet tona Naimin, mbeten dashuria për familjen, njerëzit, bashkëfshatarët, kolegët dhe miqt e panumurt si dhe qetësia fisnike e trashëguar nga i Ati.
Pikërisht për këto vlera, Naimi ka marrë titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Bashkia Vlorë dhe “Qytetar Nderi” nga e Tepelenës, duke u skalitur kështu në kujtesë si një burrë shteti i nderuar jo vetëm nga Lopësi, Tepelena, Vlora, Tirana por dhe gjithë Shqipëria.
Dhe ja ku jemi sot, pikërisht në 5-vjetorin e ndarjes së Tij nga jeta, datë që përkon si bekim edhe me festën e Kurban Bajramit, rruga drejt vendlindjes, që aq shumë e donte, emërtohet “Rruga Naim Muhaj”!
Duke falënderuar “emër për emër” iniciatorët, firmëtarët, autoritetet miratuese, mijëra dashamirësit, etj, mbetem besimplotë se kjo tabelë që orienton, ose që ndriçon rrugën nacionale Tepelenë – Vlorë për në fshatin tonë të dashur do të mbajë denjësisht emrin e Tij.
Ta gezojmë në përjetësi emrin rrugës Naim Muhaj si dhe Gëzuar Kurban Bajramin !
Ju faleminderit,
Doktorr i Shkencave Beqir Hameti,
(bashkëfshatar dhe bashkëmoshatar i Naimit).
