Letonia ka shpallur alarm ajror pasi një dron hyri në hapësirën e saj ajrore pranë kufirit me Rusinë, duke detyruar aktivizimin e avionëve luftarakë të NATO-s për patrullim në rajon.
Kreu i Qendrës së Menaxhimit të Krizave në Letoni, Arvis Zīle, deklaroi se alarmet u dërguan në telefonat celularë të banorëve në zonat lindore të vendit pak para mesditës, duke i paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm në hapësirën ajrore.
Sipas tij, forcat e armatosura letoneze monitoruan objektin fluturues, ndërsa avionët e NATO-s u ngritën menjëherë për të patrulluar kufirin lindor. Zīle tha se deri tani është identifikuar vetëm një dron dhe se ai nuk ndodhet më në hapësirën ajrore të Letonisë.
Autoritetet letoneze akuzuan gjithashtu Rusinë për një fushatë dezinformimi kundër vendit, duke përhapur pretendime se Letonia po lejon Ukrainën të përdorë territorin dhe hapësirën e saj ajrore për sulme me dronë ndaj Rusisë. Zīle i cilësoi këto pretendime si “plotësisht të rreme”.
Ndërkohë, në Estoninë fqinje, ushtria njoftoi se një avion ushtarak i NATO-s rrëzoi një dron të dyshuar ukrainas që kishte hyrë në hapësirën ajrore estoneze nga Rusia. Sipas deklaratës zyrtare, droni u godit nga një avion luftarak rumun gjatë një fluturimi stërvitor.
Ngjarjet janë pjesë e një serie incidentesh ajrore në rajonin baltik, mes sulmeve të shpeshta me dronë që Ukraina po kryen ndaj objektivave në territorin rus. Që nga muaji mars, disa dronë ushtarakë ukrainas kanë depërtuar aksidentalisht në hapësirat ajrore të vendeve anëtare të NATO-s si Finlanda, Letonia, Lituania dhe Estonia./mxh
