Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mirëpriti vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të dërguar 5 mijë trupa shtesë amerikane në Poloni, por theksoi se aleanca po ecën drejt një Evrope më të fortë dhe më pak të varur nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj.
Në një konferencë për mediat në Helsingborg të Suedisë, Rutte deklaroi se vendet europiane po rrisin gradualisht shpenzimet ushtarake dhe po marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.
Sipas tij, vende si Gjermania, Polonia, Holanda dhe Suedia kanë shtuar investimet në mbrojtje, ndërsa Suedia synon të arrijë objektivin prej 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2030, pesë vite para afatit të parashikuar.
Rutte theksoi se kjo rritje e kapaciteteve europiane është e domosdoshme për të garantuar mbrojtjen dhe frenimin ndaj kërcënimeve afatgjata, duke përmendur Rusinë si sfidën kryesore të sigurisë për aleancën.
Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në NATO, veçanërisht në aspektin bërthamor dhe atë konvencional, por shtoi se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi në vitet e ardhshme.
Komentet e kreut të NATO-s erdhën pasi presidenti Trump njoftoi në platformën “Truth Social” vendimin për të dërguar trupa shtesë në Poloni, duke përmendur marrëdhënien e tij me presidentin polak Karol Nawrocki.
Në konferencë, Rutte foli edhe për tensionet në Lindjen e Mesme dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se liria e lundrimit në zonë është seriozisht e kërcënuar. Ai tha se aleatët europianë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me SHBA-në për të garantuar sigurinë e lëvizjes detare në rajon./MXH
