Çështja e Groenlandës mbetet një temë kryesisht politike, por NATO është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj, tha të martën komandanti suprem i aleatëve të NATO-s në Europë, gjeneral-lejtnant Alexus Grynkewich.
Grynkewich, gjatë një konference për media në qytetin rumun Sibiu, theksoi se në nivel ushtarak nuk ka ndryshime në detyrën e aleancës dhe se fokusi mbetet gjithmonë i njëjtë: mbrojtja dhe parandalimi i agresionit ndaj çdo pjese të territorit të NATO-s.
“Qartë, çështja e Groenlandës është tani një çështje politike. Në nivelin tonë ushtarak, fokusi jonë mbetet mbrojtja dhe parandalimi i agresionit ndaj çdo pjese të territorit të aleancës. Jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të saj.”
Presidenti amerikan Donald Trump ka insistuar vazhdimisht se nuk do të pranojë asgjë më pak se zotërimin e Groenlandës. Liderët e Danimarkës dhe Groenlandës kanë deklaruar se ishulli nuk është për shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Së fundmi, Trump njoftoi vendosjen e tarifave ndaj importeve nga aleatët europianë që kundërshtojnë marrjen e Groenlandës, një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Vendimi ka ngjallur shqetësim te vendet europiane, të cilat e konsiderojnë këtë shkelje të marrëveshjes tregtare të arritur me SHBA vitin e kaluar.
Liderët e Bashkimit Europian pritet të diskutojnë një përgjigje të mundshme gjatë një samiti emergjent në Bruksel të enjten (22 janar). Një nga opsionet e shqyrtuara është vendosja e një pakete tarifash ndaj importeve amerikane me vlerë 93 miliardë euro ($108 miliardë), që mund të hyjë automatikisht në fuqi më 6 shkurt pas një pezullimi gjashtëmujor./mxh
