Aktori i njohur gjerman, Udo Kier, një nga emrat më të veçantë të kinemasë europiane dhe hollywoodiane, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare në Palm Springs.
I lindur në Këln, Kier zhvilloi një karrierë të jashtëzakonshme, duke u shfaqur në afro 300 filma dhe seriale gjatë gjashtë dekadave. Ai bashkëpunoi me disa prej regjisorëve më të njohur botërorë, përfshirë Rainer Werner Fassbinder, Lars von Trier dhe Gus Van Sant.
I famshëm për rolet e tij, shpesh si vampir ose antagonist, Kier u bë i paharrueshëm në filma si “Blade” dhe “Iron Sky”.
Projekti i tij i fundit filmik ishte filmi brazilian “The Secret Agent”, nën regjinë e Kleber Mendonça Filho, me të cilin kishte bashkëpunuar edhe në “Bacurau”, film që konkurroi në Festivalin e Kanës në vitin 2019.
Udo Kier mbetet një ikonë e pakrahasueshme e kinemasë botërore, një aktor i guximshëm që sfidoi kufijtë artistikë dhe u shqua për rolet e tij të paharrueshme në filmat e autorëve më të rëndësishëm të shekullit të fundit./mxh
