Jesse Jackson, një nga figurat më të njohura të lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Lajmin e bënë të ditur fëmijët e tij: Ati ynë ishte një udhëheqës në shërbim të komunitetit, jo vetëm të familjes sonë, por edhe të të shtypurve, të paftuarve për zë dhe të margjinalizuarve në mbarë botën. Kështu e përshkruan atë Massimo Gaggi.
Më 17 korrik 1960, në një Amerikë ende e segreguar, nën presidencën e Dwight Eisenhower-it dhe gjatë fushatës së John Kennedy-t kundër Richard Nixon-it, një 19-vjeçar nga Greenville, Karolina e Jugut, hyri në bibliotekën publike të qytetit së bashku me shtatë shokë. Ai përfundoi në burg, sepse biblioteka ishte “vetëm për të bardhët”. Këtu filloi aventura politike e jashtëzakonshme e reverendit Jesse Jackson, e cila zgjati më shumë se gjashtë dekada.
Jackson, i cili ndërroi jetë më 17 shkurt për komplikacione nga një sëmundje neurodegjenerative që e preku prej kohësh, u dallua për përpjekjet e tij për të drejtat civile, angazhimin për përparimin e afroamerikanëve, udhëheqjen si ministër baptist, tetë vjet drejtime të një programi politik në CNN dhe dy kandidime për president të SHBA-ve. Tentativat e tij për të arritur Shtëpinë e Bardhë në vitet 1984 dhe 1988 dështuan, por përmes tyre ai kontribuoi që mbi dy milion afroamerikanë të regjistroheshin në lista zgjedhore, një trashëgimi që do të shfrytëzohej më vonë nga Bill Clinton.
Jackson ishte aktiv që si i ri pranë Martin Luther King-ut, duke marrë pjesë në marshimin e famshëm të Selma-s më 1965, që shënoi një moment kyç për miratimin e të drejtave civile nga Kongresi, me nismën e presidentit Lyndon Johnson. Më vonë, King i besoi atij misionin për të promovuar përparimin social dhe ekonomik të komunitetit të zi në Çikago, duke themeluar organizatën Operation Breadbasket. Aktivizmi për të drejtat e afroamerikanëve dhe pakicave mbeti thelbësor gjatë gjithë jetës së tij publike, së bashku me rolin e negociatorit në çështje ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve dhe pengjeve.
Nga viti 1971 deri më 1986, Jackson drejtoi Operation PUSH (Populli i Bashkuar për Shpëtimin e Njerëzimit), më pas themeloi Rainbow Coalition, një organizatë kombëtare për drejtësi sociale. Ai ishte motor i shumë iniciativave për përparimin kulturor dhe ekonomik të njerëzve me ngjyrë, edhe pse familja e tij pati sfida ligjore: në 2013, djali i tij Jesse Jr. u dënua me 30 muaj burg për keqpërdorim të fondeve të një fushate zgjedhore.
Edhe jeta private e Jackson pati sfida. E fejuara dhe më pas bashkëshortja Jaqueline Lavinia, me të cilën pati pesë fëmijë, qëndroi pranë tij gjatë gjithë jetës, por në 1999 Jackson pranoi të ishte baba i një vajze nga një marrëdhënie jashtëmartesore.
Jackson ndërmori gjithashtu negociata ndërkombëtare: nga lirimi i një piloti amerikan në Siri më 1983, te lirimi i 48 të burgosurve politikë kubanë nga Fidel Castro një vit më vonë. Ai u emërua më pas për misione diplomatike nga presidentë të ndryshëm amerikanë, përfshirë Bill Clinton, duke negociuar lirimin e pengjeve në Ballkan dhe Afrikë.
Një moment i vështirë politik për Jackson ishte në verën e 2008, kur në një intervistë për Fox News, duke menduar se mikrofonët ishin të fikur, kritikon Barack Obamën me fjalë të ashpra, të cilat dëgjohen në mbarë SHBA-në. Ai kërkoi më pas falje, por dëmi kishte ndodhur.
Gjatë presidencës së Obamës, Jackson mbeti më shumë në hije, megjithëse ndërmori misione diplomatike, si lirimi i një turistit amerikan nga FARC në Kolumbi. Në 2017 i diagnostikua Parkinson, por ai vazhdoi të mbështeste politikë të majtë, duke mbështetur Bernie Sanders në primaret e 2020. Në vitin 2024 u shfaq në Konventën Demokratike në Çikago në një karrige me rrota, duke mbetur i aftë të kuptonte, por jo të fliste, derisa sëmundja e neurodegjenerative u përkeqësua/kb
