Last Updated on 11/11/2026 by Anisa
Koreografi dhe balerini shqiptar Leander Veizi është ndarë nga jeta në moshën 37-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të spikatur në botën e baletit dhe kërcimit bashkëkohor në Europë.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërsa ngushëllime ka shprehur edhe Teatri Shtetëror i Regensburgut në Gjermani, ku Veizi ishte pjesë e kompanisë së kërcimit dhe mbante detyrën e drejtuesit të përkohshëm artistik.
Sipas njoftimeve të institucionit gjerman, Veizi u gjet i pajetë në banesën e tij në Regensburg. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se në vendngjarje nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nuk ka indicie për përfshirjen e ndonjë personi tjetër.
I lindur në Shqipëri në vitin 1989, Leander Veizi nisi formimin artistik në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë, ndërsa më pas vijoi studimet në Scuola del Balletto di Toscana në Itali. Pas përfundimit të formimit, ai nisi karrierën në skenën shqiptare, përpara se të ndërtonte një rrugëtim ndërkombëtar në disa prej trupave të njohura europiane.
Në vitin 2011, Veizi iu bashkua kompanisë Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart, ndërsa më pas punoi si pjesë e Ballett Vorpommern dhe Tanz Theater Münster. Gjatë kësaj periudhe ai bashkëpunoi me koreografë të njohur dhe interpretoi role të rëndësishme në skena të ndryshme europiane.
Përveç karrierës si balerin, Veizi u afirmua edhe si koreograf. Krijimet e tij u shfaqën në teatro dhe festivale të ndryshme, përfshirë Gallus Theater në Frankfurt, Theater Vorpommern dhe Theater Münster. Disa nga veprat e tij të krijuara për Teatrin e Regensburgut u përzgjodhën edhe për festivale ndërkombëtare të kërcimit.
Që nga sezoni 2022/2023, ai ishte pjesë e kompanisë së kërcimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut, ku krahas punës si artist mori përsipër edhe drejtimin e përkohshëm të trupës. Në mars të këtij viti ai u emërua drejtues artistik i përkohshëm dhe koreograf i kompanisë së kërcimit.
Teatri i Regensburgut e përshkroi Veizin si një artist frymëzues, koleg të dashur dhe një figurë që la gjurmë në institucion. Në nderim të tij është hapur edhe një libër ngushëllimesh në ambientet e teatrit.
Humbja e Leander Veizit ka shkaktuar reagime në komunitetin artistik shqiptar dhe europian, ndërsa kolegët e tij kanë vlerësuar talentin, përkushtimin dhe kontributin që ai dha në zhvillimin e artit të kërcimit.
