Last Updated on 29/08/2025 by adminfjala
Sopranoja ruse thotë se e ka dënuar luftën dhe se nuk ka lidhje me Kremlinin. Por mikpritja e saj në këtë moment duket e paarsyeshme.
Martin Kettle
“Tosca” e Puccini-t është në krye të listës së operave që nuk më intereson nëse nuk i shoh më kurrë. Kështu që fakti që sopranoja ruse Anna Netrebko, pa dyshim një nga këngëtaret më të jashtëzakonshme të epokës sonë, do të interpretojë rolin kryesor në një produksion të ri në Covent Garden muajin tjetër, nuk më vendos përpara ndonjë dileme. Nuk do të jem aty gjithsesi.
Po të ishte Verdi, do të ishte më e vështirë për mua, sepse ajo është vërtet e shkëlqyer në repertorin e tij. Por ky artikull nuk ka të bëjë me shijet e mia në opera. Ka të bëjë me diçka me rëndësi më të gjerë morale. Paraqitjet e Netrebkos në Londër ngrejnë pyetje komplekse, por kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejta.
Së pari, a është e drejtë që një institucion prestigjioz britanik si Royal Opera House të ftojë Netrebkon ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon? Teorikisht mund të jetë po, nëse ajo përsërit publikisht kundërshtimin e saj ndaj luftës, por me provat aktuale, përgjigjja është jo.
Së dyti, pavarësisht nëse ftesa ishte e drejtë apo jo, çfarë duhet të ndodhë tani, para premierës së saj më 11 shtator? Në këtë pikë, kompromisi është zgjidhja më pak e keqe për të gjithë të përfshirët.
Së treti, deri ku, nëse ndonjëherë, duhet që arti të bëhet zëvendësim për politikën – veçanërisht në momente kritike dhe brutale, si ofensiva aktuale ruse në rajonin e Donbasit? Në teori, nuk duhet. Në praktikë, padyshim që është.
Rasti Netrebko: një çështje me shumë shtresa
Ka shumë këndvështrime mbi këtë temë. Akuza ndaj Netrebkos është se ajo ka qenë një figurë shumë e njohur ruse që ka lavdëruar Putinin, ka pranuar nderime nga shteti rus, dhe pas luftës së parë të Rusisë me Ukrainën në vitin 2014, është fotografuar me një flamur të separatistëve pro-Kremlin.
Në vitin 2022, pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës, shumë teatro opere anembanë botës ndërprenë bashkëpunimin me të. Lufta nuk ishte vetëm një kërcënim për Ukrainën, por për Evropën dhe vlerat e saj – dhe mbetet e tillë edhe sot.
Këto shqetësime u shprehën qartë në një letër të fortë drejtuar “The Guardian” më 14 gusht, e nënshkruar nga mbi 50 shkrimtarë dhe artistë ukrainas, një grup deputetësh britanikë nga të gjitha partitë, dhe ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark. Letra e quajti Netrebkon një “simbol të propagandës kulturore të një regjimi përgjegjës për krime të rënda lufte”. Sipas tyre, asgjë nuk ka ndryshuar që të justifikojë ftesën e saj, dhe Royal Opera House duhet të zgjedhë mes fitimit dhe vlerave.
Mbrojtja e Netrebkos
Nga ana tjetër, Netrebko i hedh poshtë të gjitha këto akuza dhe shton disa argumente:
Po, si një personazh publik rus, ka takuar Putinin, por nuk është aleate e tij.
Si ruse, ka të drejtë të pranojë nderime nga shteti.
Nuk e dinte domethënien e flamurit në foton e vitit 2014.
Që nga viti 2022, ajo jeton dhe paguan taksa në Austri.
Pas pushtimit të Ukrainës, ajo shkroi në rrjetet sociale:
“Jam kundër kësaj lufte të pakuptimtë agresioni dhe i bëj thirrje Rusisë ta ndalë menjëherë për të na shpëtuar të gjithëve!”
Ajo nuk ka qenë më në Rusi që prej asaj kohe dhe ka marrë kritika të ashpra nga zyrtarët rusë, përfshirë edhe kreun e Dumës. Netrebko gjithashtu argumenton se si artiste, nuk duhet të detyrohet të shprehet kundër vendit të saj për të ndjekur karrierën.
Krahasimi me dirigjentin Gergiev
Rasti i saj është ndryshe, pavarësisht debatit për masën e ndryshimit, nga rasti i dirigjentit rus Valery Gergiev, një mbështetës i hapur i regjimit. Gergiev ka organizuar koncerte “fitoreje” për Putinin në Siri dhe Osetinë e Jugut. Ai, me shumë gjasë, do të dirigjonte me dëshirë në një ngjarje të ngjashme në Ukrainën e pushtuar. Netrebko, me shumë gjasa, do të qëndronte larg.
Pozicioni i mjegullt i Covent Garden
Royal Opera House thotë se “ka qenë gjithmonë e qartë” që kombësia ruse nuk barazohet me mbështetjen për Putinin, dhe se Netrebko ka bërë deklarata kundër luftës. Por tani shton se gjërat kanë ndryshuar dhe se qëndrimi i tyre është rregulluar për të reflektuar “qëllimin dhe vlerat e institucionit”.
Këto janë fjalë të zbrazëta, sipas autorit. Dyshimi është se Covent Garden ka dashur gjithmonë ta rikthente Netrebkon sapo të kishte mundësi. Ishte përfolur që ajo do të rikthehej në qershor 2023, por kjo nuk ndodhi. Ndërkohë, opera të mëdha në Paris, Vjenë, Berlin dhe Milano e kanë rikthyer në skenë që në shtator 2022, ndërkohë që lufta vazhdonte.
Tani, vetëm Metropolitan Opera në New York duket të mbetet një përjashtim i fortë. Drejtori i Met-it, Peter Gelb, deklaroi këtë muaj:
“Besoj se udhëheqësit kulturorë duhet të qëndrojnë përkrah vendimeve që mbështesin një botë të lirë dhe demokratike.”
Netrebko po padit Met-in. Por Covent Garden, si shumica në Evropë, është përshtatur me rrymat. Dhe pyetja ngrihet: Nëse një yll rus ishte i papranueshëm në 2022, pse duhet të jetë i pranueshëm në 2025?
Çfarë mund të bëhet tani?
Një zgjidhje do të ishte anulimi i shfaqjes Tosca, ose të paktën zëvendësimi i Netrebkos me sopranon Aleksandra Kurzak, e cila është planifikuar të marrë rolin më 24 shtator. Por kjo është e pamundur – Covent Garden do të përballej me kosto ligjore të mëdha.
Netrebko mund të tërhiqej vetë, por kjo duket pak e mundur. Karakteri i saj nuk lë të kuptohet për lëshime të tilla.
Megjithatë, do të ndihmonte nëse para 11 shtatorit, Netrebko do të bënte një deklaratë të qartë për publikun britanik, duke dënuar luftën e Putinit dhe duke pranuar ndjeshmërinë e kundërshtarëve të saj. Drejtuesit e Covent Garden duhet ta nxisin këtë, sa më shpejt.
Përmbyllje
Kjo situatë është si një aksident në ngadalësi. Nuk do të kishte ndodhur po të ishte marrë një vendim më i mençur dhe më i matur për reputacionin, sidomos në kohën e rrjeteve sociale. Por, si Donald Trump me Putinin në Alaskë, Covent Garden mendoi se mund të mbante anën e të dyjave – duke valëvitur flamurin ukrainas dhe duke ftuar Netrebkon. Është provuar se ka gabuar.
Nëse nuk ndryshon diçka, historia më 11 shtator nuk do të jetë zëri i Netrebkos, por protestat pro-Ukrainës – jashtë, e ndoshta edhe brenda operas. Dhe kjo do të jetë një pasojë që institucioni më i rëndësishëm artistik i Britanisë e ka sjellë mbi veten vetë.
*Martin Kettle është kolumnist i “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
