Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Policia e Shkodrës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit midis Vllaznisë dhe Tiranës, e cila do të zhvillohet më 27 shkurt 2026, në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në zbatim të këtyre masave, nga ora 06:00 e mëngjesit të datës 27.02.2026 deri në përfundim të ndeshjes:
Ndalohet parkimi dhe qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve në perimetrin e stadiumit;
Kufizohet qarkullimi i mjeteve në perimetrin e stadiumit, me përjashtim të mjeteve të emergjencave dhe atyre të shërbimeve me rëndësi.
Policia njofton se, në varësi të situatës, mund të devijohet lëvizja e mjeteve nga rrugët afër stadiumit drejt rrugëve alternative për të shmangur bllokimet.
Gjithashtu, qytetarët informohen se çdo mjet i parkuar në perimetrin e sigurisë së stadiumit gjatë periudhës së ndalimit do të përballet me sanksione ligjore, përfshirë edhe largimin me mjete ngritëse.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për mirëkuptimin e qytetarëve dhe zbatimin e masave kufizuese, të cilat kanë për qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit sportiv.
