Last Updated on 18/11/2026 by EL
Kreu i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka, ka kritikuar dy partitë e vjetra politike për mungesën e konsensusit dhe të standardeve në procesin e reformës zgjedhore.
I ftuar në emisionin “Pika mbi i”, Ndoka u shpreh se PS dhe PD nuk janë të prirura të vendosin një sistem plural dhe se propozimet e tyre bëhen sipas interesave të momentit.
Sipas tij, do të ishte produktive që të dyja partitë të kishin një draft paraprak, të mbështetur në parime dhe standarde të përbashkëta, përpara nisjes së diskutimeve në komision.
“Unë nuk i dëgjoj se çfarë thotë njëri, çfarë thotë tjetri, unë e di se çfarë kanë në mendje, jo ato çfarë thonë”, u shpreh Ndoka, duke shtuar se partitë nuk synojnë të vendosin një “gardh të barabartë për të gjithë”, por krijojnë pengesa për të tjerët dhe privilegje për veten.
Ndoka u ndal edhe te ndryshimet e Kodit Zgjedhor, duke kujtuar kundërshtimin e tij në Gjykatën Kushtetuese dhe në Kuvend. Ai theksoi se për të riparuar gabimet e bëra, duhet rikthyer sistemi zgjedhor i vitit 2008, të cilin e cilësoi si profesional dhe pluralist, ku vota kishte vlerë./ET
