Parimi “ndotësi paguan” merr një dimension më konkret me rregullat e reja të miratuara nga Ministria e Mjedisit për trajtimin dhe përllogaritjen e dëmeve ndaj mjedisit. Operatorët që shkaktojnë dëme do të duhet të përballojnë financiarisht ndërhyrjet për rikthimin e gjendjes së mjedisit të prekur, duke përfshirë pyjet, habitatet, ujërat dhe tokën.
Dy urdhra të rinj përcaktojnë si mënyrën e ndërhyrjes në rastet e dëmtimit, ashtu edhe metodën për llogaritjen e faturës që mund t’u ngarkohet operatorëve përgjegjës. Kjo faturë nuk do të kufizohet vetëm te puna fizike për rehabilitimin e zonës.
Në kostot e rikuperueshme do të përfshihen edhe inspektimet në terren, marrja e mostrave, analizat laboratorike, studimet shkencore dhe angazhimi i ekspertëve. Po ashtu, operatori mund të përballet me shpenzimet për monitorimin, procedurat administrative, masat emergjente, si dhe kostot ligjore dhe gjyqësore që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësinë mjedisore.
Një element tjetër i rëndësishëm është se rehabilitimi do të vlerësohet në disa nivele. Masat mund të jenë parësore, plotësuese ose kompensuese, në varësi të dëmit të shkaktuar dhe nevojës për të rikthyer ose kompensuar funksionet e humbura të ekosistemit.
Përllogaritja e kostove do të mbështetet te shpenzimet faktike, çmimet e tregut, vlerësimet e ekspertëve ose normat standarde të kostos. Në këtë mënyrë, përgjegjësia financiare synon të përfshijë të gjithë procesin, nga ndërhyrja fillestare dhe rehabilitimi deri te monitorimi i rezultateve.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të jetë institucioni përgjegjës për zbatimin e masave. Megjithatë, mekanizmi nuk do të nisë të zbatohet menjëherë. Hapi i radhës është miratimi dhe hyrja në fuqi e akteve të tjera nënligjore për përgjegjësinë mjedisore, të parashikuara nga ligji për mbrojtjen e mjedisit./ad
