Italia po përjeton një ndryshim të dukshëm demografik dhe shoqëror. Sipas të dhënave të publikuara nga shoqata italiane e industrisë së kafshëve shtëpiake, Assalco, numri i kafshëve shtëpiake në vend ka arritur në rreth 53.6 milionë, duke tejkaluar ndjeshëm numrin e fëmijëve nën moshën 15 vjeç, që llogaritet në rreth 7.6 milionë.
Statistikat përfshijnë më shumë se 25 milionë peshq, 11 milionë mace dhe 9.1 milionë qen, ndërsa mbi gjysma e familjeve italiane jetojnë me të paktën një kafshë shtëpiake.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen me rënien historike të lindjeve. Italia regjistron rreth 393 mijë lindje në vit dhe një normë lindshmërie prej vetëm 1.18 fëmijësh për grua, ndër më të ulëtat në Evropë.
Përveç faktorëve demografikë, edhe ndryshimet në stilin e jetesës po ndikojnë në këtë trend. Pasiguria ekonomike, çmimet e larta të banesave dhe zgjedhjet personale kanë bërë që shumë të rinj të shtyjnë ose të heqin dorë nga prindërimi, duke zgjedhur të kenë kafshë shtëpiake.
Ndërkohë, industria e dedikuar kafshëve është zgjeruar ndjeshëm, me restorante, shërbime dhe biznese të specializuara që i përgjigjen kërkesës gjithnjë në rritje./mxh
