Regjisori i njohur Quentin Tarantino bëhet baba për herë të tretë në moshën 63-vjeçare. Ai dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja dhe aktorja izraelite Daniella Pick Tarantino, kanë mirëpritur në jetë një djalë.
Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesi i çiftit për revistën People, i cili bëri të ditur se të dy janë tepër të lumtur për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të tretë.
Deri më tani, nuk është zbuluar as data e saktë e lindjes dhe as emri që prindërit kanë zgjedhur për vogëlushin. Megjithatë, dihet se ai do t’i bashkohet dy fëmijëve të tjerë të çiftit, Leo, 6 vjeç, dhe Adriana, 4 vjeçe.
Shtatzënia e Daniella Pick u bë publike në fillim të tetorit, përmes raportimeve të mediave izraelite, ndërsa çifti kishte zgjedhur ta mbante këtë periudhë larg vëmendjes së publikut.
Quentin Tarantino dhe Daniella Pick u njohën në vitin 2009, kur regjisori ndodhej në Izrael për promovimin e filmit Inglourious Basterds. Pas një periudhe ndarjeje, ata u ribashkuan rreth vitit 2016 dhe një vit më vonë u fejuan. Çifti kurorëzoi dashurinë në nëntor të vitit 2018, në një ceremoni private në Los Angeles.
Prej disa vitesh, familja e tyre ka ndarë jetën mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Në një intervistë gjatë Festivalit të Filmit Sundance, në janar të vitit 2025, Tarantino foli edhe për mënyrën se si balancon karrierën me jetën familjare, duke u shprehur se kur ndodhet në Izrael, roli i tij kryesor është ai i një babai./mxh
