Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Në një përkim të rrallë shpirtëror, si për herë të parë në 163 vjet, Viti i Ri Hënor, Ramazani dhe Kreshma nisën brenda 24 orësh.
Një kujtesë e fuqishme nëpër besime për të reflektuar thellë, për të ushtruar vetëdisiplinë, për të dhënë me bujari dhe për t’iu përkushtuar sërish shërbimit ndaj të tjerëve.
Secila ka kohën dhe vendin e vet në kalendar, të lidhur me fazat e hënës:
17 shkurt 2026: Viti i Ri Hënor ndjek kalendarin hënor dhe fillon me hënën e parë të re, që këtë vit bie më 17 shkurt.
18 shkurt 2026: Kreshma është periudha 40-ditore që çon drejt Pashkëve për të krishterët dhe fillon me të Mërkurën e Hirit, e cila bie më 18 shkurt. Pashkët, që këtë vit janë më 5 prill, përcaktohen nga hëna e parë e plotë pas ekuinoksit pranveror.
18–19 shkurt 2026: Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor islam dhe tradicionalisht fillon me shfaqjen e hënës së re (gjysmëhënës). Pritet të nisë rreth 18 ose 19 shkurtit këtë vit, në varësi të vendit.
Çfarë është Viti i Ri Hënor?
Viti i Ri Hënor është një festival madhor që festohet në disa vende aziatike dhe nga rreth dy miliardë njerëz në mbarë botën. I njohur edhe si Viti i Ri Kinez, ai fillon me hënën e parë të re të kalendarit hënor dhe përfundon 15 ditë më pas.
Në Kinë, shumë familje pastrojnë tërësisht shtëpitë disa ditë para fillimit të Vitit të Ri Kinez. Kjo bëhet zakonisht për të larguar fatin e keq. Ushqime, objekte simbolike u kushtohen paraardhësve ose hyjnive, si dhe fruta, çaj, skulptura, temjan dhe qirinj.
Rituale të tjera përfshijnë varjen e mesazheve me urime për fat të mirë, ndezjen e fishekzjarrëve, ngrënien e petëve dhe qofteve me kuptime simbolike, si dhe shkëmbimin e dhuratave në para.
Çfarë është Ramazani?
Muslimanët e respektojnë muajin e shenjtë përmes agjërimit të përditshëm nga agimi deri në perëndim të diellit. Ramazani pasohet nga festa islame e Fitër Bajramit.
Në aspektin shoqëror, ai shpesh bashkon familjet dhe miqtë në mbledhje festive gjatë vakteve të iftarit për të çelur agjërimin. Është gjithashtu një kohë për adhurim më të shtuar, reflektim fetar dhe bamirësi.
Agjërimi është një nga Pesë Shtyllat e Islamit, së bashku me dëshminë e besimit, faljen, dhënien e zekatit dhe haxhin.
Çfarë është Kreshma?
Kreshma është sezoni kalendarik në shumicën e kishave të krishtera që çon drejt vdekjes së Jezusit të Premten e Madhe dhe ringjalljes së tij në Pashkë. Është një periudhë solemne që fillon me të Mërkurën e Hirit, e cila përcaktohet duke numëruar 40 ditë mbrapa nga Pashkët, pa përfshirë të dielat.
Këto 40 ditë i referohen 40 ditëve që Jezusi agjëroi në shkretëtirë pas pagëzimit të tij, në përgatitje për shërbesën publike.
Në të Mërkurën e Hirit, shumë të krishterë marrin pjesë në meshë, e cila thekson fillimin e një sezoni reflektimi, vetëpërmbajtjeje dhe pendese për mëkatet. Shumë prej tyre shënohen me një kryq hiri në ballë.
Kjo ditë konsiderohet ditë agjërimi e detyrueshme për katolikët romakë nga 18 deri në 59 vjeç — që do të thotë kufizim i ushqimit në një vakt të plotë dhe dy vakte më të vogla se zakonisht./fjala.al- A.D
