Në Palazzo Blu, piktura nga muzetë më të mëdhenj të botës
Përgatiti: Leonard Veizi
Në brigjet e Arnos, në zemrën e Pizës, arti i fund-shekullit XIX ringjallet me gjithë shkëlqimin e tij. Palazzo Blu, një nga hapësirat ekspozuese më prestigjioze të Toskanës, hap dyert për një udhëtim në epokën e ndriçuar të Belle Époque — periudhën që shënoi lindjen e modernitetit dhe magjinë e jetës urbane në Parisin e artit dhe modës.
Nga 16 tetori deri më 7 prill 2026, ekspozita “Piktorët italianë në Paris në Epokën e Impresionizmit”, e kuruar nga historiania e artit Francesca Dini dhe e organizuar nga MondoMostre me kontributin e Fondazione Pisa, sjell mbi 100 vepra të rralla nga muzetë më të rëndësishëm të botës: Musée d’Orsay, Luvri, Muzeu i Artit të Filadelfias, Instituti i Arteve të Detroitit, Muzeu André Malraux në Le Havre, Palazzo Te në Mantua, Galeria Uffizi, Muzeu Capodimonte, Pinacoteca “Giuseppe De Nittis” në Barletta dhe Muzeu “Giovanni Boldini” në Ferrara, si dhe një sërë koleksionesh private franceze dhe italiane.
Në qendër të kësaj ekspozite qëndrojnë tre emra që shënuan me dritë të veçantë shekullin e tyre:
Giovanni Boldini, mjeshtri i portretit femëror dhe i elegancës mondane, i cilësuar shpesh “piktori i shpejtësisë” për penelatat e tij dinamike;
Giuseppe De Nittis, i cili solli në pikturë ritmin e bulevardit parisien dhe poetikën e dritës së re urbane;
dhe Federico Zandomeneghi, më i afërti me impresionistët francezë, që gjeti në jetën e përditshme dhe në intimitetin e femrës frymëzimin e tij më të thellë.
Ekspozita synon të rishkruajë historinë e pikturës italiane në Paris, duke i dhënë vendin që meritojnë artistëve të cilët, mes 1870 dhe 1910, ishin bashkëpjesëmarrës aktivë në transformimin e artit evropian. Përmes tyre, Italia e Rilindjes estetike gjeti një zë të ri në metropolin e shekullit të ri, duke përqafuar modernitetin pa harruar rrënjët.
“Kjo ekspozitë,” shpjegon kuratorja Francesca Dini, “është një udhëtim në historinë kulturore të Evropës përmes syve të artistëve italianë që arritën ta kthejnë pikturën e tyre në një gjuhë ndërkombëtare, pa humbur kurrë identitetin kombëtar. Nuk është thjesht një koleksion ‘kryeveprash të bukura’, por një përpjekje për t’i dhënë thellësi një momenti që shpesh trivializohet nga joshja e tij estetike.”
Ekspozita është ndarë në nëntë seksione tematike, të cilat pasqyrojnë kontrastet e epokës: midis përparimit teknologjik dhe pabarazisë sociale, midis euforisë borgjeze dhe plagëve historike, midis ndriçimit të rrugëve të Parisit dhe hijeve që fshiheshin pas fasadave luksoze të tij.
Krah punëve të tre protagonistëve kryesorë, ekspozita përfshin edhe vepra të Vittorio Corcos, Antonio Mancini, Francesco Paolo Michetti dhe Telemaco Signorini, të cilët, secili në mënyrën e vet, u përpoqën të kapnin ritmin e kohës së re.
Në këtë mënyrë, “Piktorët italianë të Belle Époque” bëhet jo vetëm një festë e artit dhe e hijeshisë, por edhe një reflektim mbi mënyrën se si arti udhëtoi përtej kufijve kombëtarë, duke krijuar një identitet të përbashkët evropian — një urë e vërtetë ndërmjet Italisë dhe Parisit të shekullit të artë.

