Numri i të rinjve të punësuar po pëson rënie të shpejtë, teksa të papunët në këtë grup-moshë po rriten.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të rinjve të punësuar në grup-moshën 15-29 vjeç është pakësuar me mbi 17 mijë persona ndërmjet 2023-2026, ndërsa pesha e tyre në punësimin total ka pësuar rënie.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, të punësuarit e moshës 15–29 vjeç ishin 170,389 persona duke shënuar një rënie prej 9,2% në krahasim me vitin 2023.
Tkurrja e punësimit të të rinjve ka qenë më e fortë se ajo e punësimit në tërësi. Gjatë kësaj periudhe, numri total i të punësuarve mbeti pothuajse i pandryshuar, në rreth 1,16 milionë persona. Si rrjedhojë, pesha e të rinjve ndaj punësimit total zbriti nga 16,1% në tremujorin e dytë 2023 në 14,69% në tremujorin e dytë 2026, një rënie prej 1,48 pikë përqindje.
Kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2025, numri i të rinjve të punësuar u pakësua me 7.069 persona, ose rreth 4% në prill-qershor 2022.
Paralelisht me pakësimin e punësimit, në krahasimin vjetor është rritur numri i të rinjve të papunë. Në tremujorin e dytë 2026, ata arritën në 36,686 persona me rritje vjetore 16,1%.
Llogaritjet tregojnë se shkalla e papunësisë tek të rinjtë u rrit në rreth 17.7% në tremujorin e dytë 2026, me rreth 2.6 pikë përqindjeje.
Punësimi i pensionistëve u dyfishua në tre vjet
Ecuria e të rinjve bie në kontrast me pjesën tjetër të tregut të punës. Numri i përgjithshëm i të papunëve në vend u ul me 4.2% në një vit, në 3 -mujorin e dytë 2026. Te grup-mosha 30-64 vjeç, numri i të papunëve ra me 12.1%, ose rreth 9.2 mijë persona. Vetëm te të rinjtë tendenca ishte në drejtim të kundërt.
Sidomos numri i personave mbi 64 vjeç që vijojnë të jenë të punësuar po rritet me ritme të shpejta, në një kohë kur të rinjtë po përballem me rritje të papunësisë dhe rënie të punësimit.
Në tremujorin e dytë të vitit 2023 numëroheshin vetëm 71 mijë të punësuar mbi 64 vjeç, ndërsa tre vjet më vonë numri mëse u dyfishua. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i të punësuarve mbi 64 vjeç arriti në rreth 145 mijë persona.
Në disa sektorë, mungesa e përvojës profesionale, kërkesa për aftësi specifike dhe interesi më i ulët i të rinjve për disa profesione apo zanate e bëjnë më të vështirë zëvendësimin e punonjësve të vjetër.
Shtohen radhët e të papunëve nga të rinjtë
Si rrjedhojë, të rinjtë po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe te të papunëve në vend. Në tremujorin e dytë 2025, 15-29-vjeçarët përbënin rreth 29% të të papunëve gjithsej, por një vit më vonë pesha e tyre u ngjit në rreth 35%.
Tregu i punës në vendin tonë nuk ka qenë historikisht tërheqës për të rinjtë, mirëpo së fundmi kushtet janë vështirësuar më tej. Sistemi arsimor duket se nuk prodhon profilet që kërkojnë bizneset aktuale. Ka një mbiprodhim te të diplomuarve në degë tradicionale dhe një mungesë të theksuar të specialistëve në fusha teknike, teknologji, apo zanate të specializuara që kërkohen nga sektori privat.
Largimi masiv i të rinjve, veçanërisht i atyre me arsim të lartë apo aftësi të mira, krijon një paqëndrueshmëri në treg./monitor
