Vitin e shkuar u importua mish nga jashtë si kurrë më parë. Kjo, jo se shqiptarët konsumuan më tepër, por nga që në vend pati edhe më pak bagëti.
Sami Sinani, kasap në Tiranë, u shpreh për A2CNN: “Janë shitur bagëtitë të gjitha. Në Shqipëri nuk merret më njeri me blegtori. S’po e kuptoj se çfarë po bëhet”.
Vlera e mishit dhe nënprodukteve të tij të blerë nga jashtë në 12 muajt e lëna pas përllogaritet në 81 miliardë lekë. Në raport me 2024-n, importet u zgjeruan me 300 milionë lekë.
Pedagogu Maksim Meço shpjegon: “Dy janë arsyet kryesore. Së pari, largimi i banorëve nga fshati, së dyti është falimentimi i disa komplekseve blegtorale në Shqipëri”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se më shumë se 1/3 e mishit gjatë vitit të shkuar erdhi nga Brazili. Lista e importeve pasohet nga Greqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia.
“Shqipëria nuk ka nevojë të zgjerojë kapacitetet përpunuese, por duhet të rritet prodhimi dhe standardet. Kjo bëhet duke orientuar të paktën 70% të skemës së subvencionit në sektorin blegtoral kryesisht për prodhim”, deklaron Meço.
