Në mëngjesin e 12 nëntorit 1918, pas jehonës së topave që kishin heshtur në frontet e Luftës së Parë Botërore, anijet luftarake të Aleatëve ankoruan në Bosfor. Kryeqyteti i madh i Perandorisë Osmane, Stambolli, u pushtua ushtarakisht nga forcat britanike, franceze dhe italiane — një ngjarje që shënoi fundin de facto të një prej perandorive më të gjata dhe më të fuqishme në histori.
Ky pushtim u zhvillua në përputhje me Armëpushimin e Mudros, të nënshkruar më 30 tetor 1918, që i dha fund pjesëmarrjes osmane në luftë dhe hapi rrugën për kontrollin aleat mbi territoret e saj strategjike. Me nënshkrimin e këtij armëpushimi, Turqia humbi çdo sovranitet mbi portet, hekurudhat dhe komunikimet e saj detare — ndërsa Stambolli, simboli i perandorisë, u bë pre e forcave të huaja.
Trupat e para franceze hynë në qytet më 12 nëntor 1918, të ndjekura një ditë më pas nga forcat britanike, ndërsa trupat italiane zbarkuan në Galata më 7 shkurt 1919. Në total, rreth 30 mijë ushtarë britanikë, 20 mijë francezë, 4 mijë italianë dhe një kontingjent i vogël grek morën pjesë në pushtim.
Për qytetarët e Stambollit, skenat e ditëve të para ishin të zymta: flamujt osmanë u ulën nga institucionet, portet u mbushën me anije të huaja, ndërsa rrugët e Pera-s dhe Galatës u mbushën me uniforma të panjohura. Atmosfera ishte ajo e një fundi të paracaktuar, një epokë që po shuhej nën hijen e armëve aleate.
Ky pushtim zgjati deri më 1923, kur Lufta e Pavarësisë Turke, e udhëhequr nga Mustafa Qemal Ataturku, çoi në tërheqjen e forcave të huaja dhe shpalljen e Republikës së Turqisë me kryeqytet në Ankara. Por ngjarjet e 12 nëntorit 1918 mbetën të gdhendura në kujtesën historike si dita kur Stambolli, dikur qendra e botës osmane, ra për herë të parë nën pushtim të huaj.
Përgatiti: L.Veizi
