Profesori dhe gazetari i njohur Lutfi Dervishi ndalet te një nga elementët e Reformës Administrative që socialistët kanë propozuar, e cila parashikon shkrirjen e disa bashkive dhe kalimin e menaxhimit tek ato fqinje më të mëdha.
Konkretisht, profesori pyet se përse Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit duhet t’i kalojë Tiranës, kur është në territorin e Bashkisë së Krujës.
Sipas tij, nëse qëllimi i reformës është që komunitetet të përfitojnë maksimalisht nga pasuritë dhe asetet që kanë në territorin e tyre, përse Aeroporti i Rinasit duhet t’i kalojë Tiranës dhe krutanët të mbajnë vetëm zhurmat.
“Komuniteti të paktën le të mbajë aeroportin që ka në territorin e vet. Apo logjika është tjetër: banorët të marrin zhurmën, ndotjen dhe rrezikun, ndërsa të ardhurat që gjeneron aeroporti të fluturojnë diku tjetër?
Në fund të fundit, thelbi i një reforme territoriale është që: komuniteti të përfitojë nga pasuritë dhe asetet që ndodhen në territorin e tij, jo vetëm të mbajë kostot e tyre”, shkruan ai, ndërsa tregon disa raste kur aeroportet ndërkombëtare janë lënë në territoret e qyteteve të vogla.
“Edhe Rinasi i takon Tiranës? Aeroporti i Brukselit është në komunën Zaventem. Aeroporti i Beogradit është në komunën Surçin. Aeroporti i Romës është në komunën Fiumicino. Nuk është rastësi sepse kudo ku ndodhet aeroporti, përfiton edhe komuniteti që e ka në territorin e vet. Po ketu? Lajmi fundit: Rinasi do t’i kalojë Tiranës”, vijon ai./ad
