Last Updated on 22/11/2025 by Kesjana
Regjisori i famshëm, Christopher Nolan, i cili sjell në ekranin e madh eposin homerik, dha një intervistë ekskluzive për revistën, duke shpjeguar qëllimin e tij. Odiseya është sfida e madhe, epike, që ai ka marrë mbi vete.
Në një intervistë për revistën Empire, Nolan konfirmoi shkallën kolosale të filmit të tij të ri, i cili tashmë është në fazën e post-produksionit, pas përfundimit të xhirimeve në gusht.
Regjisori, skenaristi dhe producenti i njohur ndërkombëtarisht, i cili është i famshëm për përkushtimin e tij ndaj filmave analogë dhe për mosbesimin ndaj efekteve digjitale, deklaroi se ka përdorur rreth 609.000 metra (2 milionë këmbë) film për të sjellë Odisenë e Homerit në ekranin e errët.
Përzgjedhja e Nolan për të xhiruar tërë Odisenë në formatin IMAX të madh shpjegon volumet e mëdha të materialeve, pasi kamerat IMAX “hanë” më shumë film se kamerat tradicionale 35 milimetra.
Sipas Indepth Cine, kamerat IMAX përdorin rreth 337 këmbë film 65 milimetra për minutë, në krahasim me 90 këmbët për minutë për kamerat 35 milimetra. Kjo do të thotë se Nolan ka xhiruar rreth 100 orë material të papërpunuar.
Regjisori, i cili dy dekada më parë kishte diskutuar mundësinë e drejtimit të Iliadës, shpjegoi pse përfundimisht pranoi të drejtonte Odisenë.
Sipas tij, ajo që mungonte ishte “besueshmëria” dhe “peshë” në përkthimet kinematografike të mitologjisë, në krahasim me filmat me të cilët është rritur, si ato të Ray Harryhausen.
“Si kineast, kërkon boshllëqe në kulturën kinematografike, gjëra që nuk janë bërë më parë. Dhe ajo që pashë ishte se ky projekt i madh mitologjik, me të cilin u rrita, nuk kishte ardhur ende në ekranet e kinema me peshën dhe besueshmërinë që mund të ofronte një buxhet i madh dhe një prodhim me shkallë Hollivudi dhe IMAX,” tha ai.
Për më tepër, ai foli për një tjetër Odisenë, atë të krijimit të eposit homerik dhe të bashkëpunëtorëve të tij. “Kam qenë në det për katër muajt e fundit. E morëm aktorët që luajnë ekuipazhin e anijes së Odiseut dhe i çuam jashtë, në valët reale, në vendet e vërteta… Dëshironim me të vërtetë të pasqyronim sa të vështira do të ishin këto udhëtime për njerëzit. Dhe sa i madh ishte ky hap besimi që ata morën në një botë të paeksploruar, të panjohur,” tha ai.
Përkushtimi i Nolan ndaj kushteve natyraliste ishte kyç dhe i palëkundur. “Duke përqafuar natyralitetin e botës reale gjatë prodhimit të filmit, e informon tregimin në mënyra interesante. Sepse përballesh çdo ditë me forcat e botës që janë kundër teje,” shtoi ai, duke theksuar se përkushtimi ndaj efekteve praktike dhe xhirimeve në hapësira të hapura do t’i japë filmit një ndjesi të veçantë të vërtetës dhe vështirësisë, duke nderuar epopenë e Homerit./kb

