Last Updated on 14/09/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Nga koha e “nallbanit” e deri te “make-up artisti”, Shqipëria ka bërë një udhëtim interesant jo vetëm në politikë dhe ekonomi, por edhe në mënyrën si emërton profesionet. Fjalët e dikurshme, të thjeshta e të drejtpërdrejta, sot janë zëvendësuar me terma të huaj që tingëllojnë më modernë, më “elegantë”, shpesh edhe më qesharakë. Shkurt: në Shqipëri, profesionet nuk zhduken kurrë – zhduket vetëm fjala që i përkufizon. Dhe kur fjala zëvendësohet me një emër më të zhurmshëm, duket sikur edhe puna vetë bëhet më “e madhe”.
Prologu
Kohët ndryshojnë, por shqiptari mbetet po ai: i etur për t’u dukur më “modern” se ç’është. Diktatura i njihte njerëzit nga zanati: rrobaqepës, berber, këpucar. Demokracia u solli dhuratë një gjë të çuditshme – emra të rinj për të njëjtat punë. Dhe kështu, Shqipëria u bë vendi ku “hamalli” nuk pranon më të quhet hamall, sepse tingëllon shumë provinciale. Tani ai është “logjistik menaxher”. Eh, sa larg kemi arritur!
Galeria e emrave të rinj
Rrobaqepësi u bë: stilist.
– Qyqa!
Berberi u shndërrua në: hair stylist.
– “Mbeti qyteti për një palo berber!”
Grimieri u bë: make-up artist.
-Hallall
Art grafik dikur quhej dizajnator.
– “O piktor, çfarë pune bëni ju piktorët, ore?”
Lulishtari sot thotë me krenari se ka studiuar për: hortikulturë.
– Korba…
Punonjësi i servisit sot, dikur quhej xhenerik.
– “Xhenerik, xhenerik, poshtë makinës si zhapik.”
Hamalli u kthye në: logjistik menaxher.
– “Hamall? Jo, thjesht optimizoj zinxhirin e furnizimit!”
Roja tani quhet: security.
– “Rroje? Sa profesion fisnik!”
Sekretarja u bë: asistente ekzekutive.
– “Bravo motra!”
Shitësi i lagjes tani është menaxher ekzekutiv.
– “Kush tha që shes qepë e domate? Unë menaxhoj produktet e freskëta!”
Pastruesja? Epo, tani quhet sanitar-operatore.
– “Ndriçimi i pllakave është art, jo shërbim pa përvojë!”
Kamerieri është bërë specialist i shërbimit klientor.
– “Jo thjesht sjell pjata e gota, por ofroj përvoja gastronomike!”
Zdrukthëtari është bërë: dizajner interierësh.
– “Po, po! Tavolinën tënde e bëra unë, por quhet ‘koncept minimal’.”
Llogaritari i thjeshtë është bërë: ekspert financiar.
– “Unë nuk mbaj kasën, unë menaxhoj flukset monetare të kompanisë.”
Mësuesi i shkollës 8-vjeçare është bërë: edukator i kompetencave jetësore.
– “Mos më thuaj mësues, se më ul në nivelin e ditarëve dhe krediteve arsimore!”
Shoferi i kamionit? Sot është: transport koordinues.
– “Jo, nuk jam shofer autobuzi. Siguroj mobilitetin e resurseve njerëzore.”
Këpucari tani quhet: restaurues i aksesorëve të lëkurës.
– “Një çik lustër e quajmë ‘rigjallërim të identitetit estetik’.”
Edhe pjatalarësi, me pak dashamirësi sot është: dishwasher
-“Jo, jo, unë nuk laj pjata, por garantoj ciklin higjenik të enëve
Dhe për ta mbyllur: Inxhinieri është kthyer në ekspert i sistemeve teknologjike inovative.
E mjaft me kaq se dhe një kapteri ushtrie sot i mbetet hatri, se sipas tij terminologjia e re i garanton titillin: junior officer ose nënoficer i lartë me kompetenca komandimi.
Epilogu
Kështu, nga diktatura në demokraci, ne nuk ndryshuam aq shumë profesionet – i ndryshuam emrat. Që të dukemi më të rëndësishëm, më të huaj, më “cool”. Por në fund, qepja mbetet qepje, brisku mbetet brisk, fshesa mbetet fshesë. Vetëm që ne, shqiptarët, e kemi sport kombëtar: të bëjmë fjalën më të madhe se punën. Dhe në këtë garë, s’na kap dot askush.
